Libani dhe Izraeli zhvillojnë bisedime në Romë për zbatimin e marrëveshjes së ndërmjetësuar nga SHBA-ja

Libani dhe Izraeli kanë rifilluar të martën bisedimet në kryeqytetin italian, Romë, me shpresën e Bejrutit për përparim drejt tërheqjes së forcave izraelite nga jugu i Libanit, në kuadër të një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara.

Megjithatë, pritshmëritë për një përparim të shpejtë mbeten të ulëta, ndërsa tensionet në rajon vazhdojnë, shkruan Reuters, transmeton Dukagjini.

Diplomacia e udhëhequr nga SHBA-ja është intensifikuar pasi Hezbollahu dhe Izraeli rifilluan luftimet më 2 mars, në kuadër të konfliktit më të gjerë rajonal. Përpjekjet diplomatike kanë vazhduar pavarësisht kundërshtimeve të forta nga grupi i mbështetur nga Irani, i cili beson se vetëm presioni iranian ndaj Uashingtonit mund të sigurojë përfundimin e luftës dhe tërheqjen izraelite.

Irani kishte kërkuar përfundimin e luftës në Liban si pjesë të marrëveshjes së përkohshme me Uashingtonin të nënshkruar muajin e kaluar, por ky mirëkuptim është tronditur gjatë javës së fundit nga përshkallëzimi i ri i tensioneve mes SHBA-së dhe Iranit në Gjirin Persik.

Aktualisht, ushtria izraelite mban nën kontroll atë që e cilëson si “zonë tampon” rreth 10 kilometra brenda territorit të Libanit përgjatë gjithë kufirit izraelito-libanez. Zyrtarët izraelitë thonë se kjo zonë është e nevojshme për të mbrojtur komunitetet në veri të Izraelit nga sulmet e Hezbollahut.

Një takim i zhvilluar në Uashington më 26 qershor rezultoi me një marrëveshje kornizë që parashikon përfundimin e konfliktit në Liban, çarmatimin e grupeve militante – në një referencë të dukshme ndaj Hezbollahut – vendosjen e trupave libaneze në jug dhe tërheqjen graduale të forcave izraelite.

Megjithatë, sulmet vdekjeprurëse izraelite kanë vazhduar, ndërsa Hezbollahu e ka kundërshtuar marrëveshjen dhe përpjekjet për çarmatimin e tij. Izraeli, nga ana tjetër, ka deklaruar se trupat e tij do të qëndrojnë në jug të Libanit për aq kohë sa Hezbollahu të mbetet i armatosur.

Bisedimet në Ambasadën e SHBA-së në Romë pritet të zgjasin dy ditë dhe do të fokusohen në mënyrën e zbatimit të marrëveshjes kornizë, kanë bërë të ditur zyrtarë libanezë.

Sipas tyre, zhvendosja e negociatave në Itali do ta lehtësojë procesin, pasi delegacionet e të dyja vendeve do të mund të konsultohen më lehtë me qeveritë e tyre gjatë diskutimeve.

Të fundit nga rubrika