Libraria “Dukagjini” në listën e ngushtë për çmimin prestigjioz të Panairit të Londrës

Libraria "Dukagjini"

Libraria “Dukagjini” është futur në listën e ngushtë të të nominuarve për Çmimin Ndërkombëtar të Përsosmërisë, në kuadër të Panairit të Librit në Londër. Për këtë çmim prestigjioz, “Dukagjini” garon për kategorinë “Çmimi për librarinë e vitit”, bashkë me libraritë “Minoa” nga Turqia, “Strandlaufer Verlagsbuchhandlung” nga Gjermania dhe “Rovingheights” nga Nigeria.

Në komunikatën për medie lëshuar nga “London Book Fair”, potencohet fakti i debutimit të Kosovës në këtë garë prestigjioze.

“Lista e ngushtë e këtij viti përfshin shtatë vende të ndryshme, me Kosovën në listën e ngushtë për herë të parë dhe Amerikën Veriore që shquhet me pesë nominime”, – thuhet në komunikatën për medie të lëshuar nga LBF-ja.

Tutje, aty potencohet fakti se lista e ngushtë për secilën kategori u përzgjodh nga panele ekspertësh të secilit sektor.

Gareth Rapley, drejtor i Panairit të Librit në Londër, ka thënë se përsosmëria në botim qëndron në zemër të gjithçkaje, duke shtuar se “lista e shkurtër e Çmimeve Ndërkombëtare të Përsosmërisë është një vlerësim për kompanitë e shumta frymëzuese, që punojnë shumë për ta bërë botimin gjithëpërfshirës dhe të qasshëm”.

Blerim Muhaxhiri, drejtor i librarisë “Dukagjini”, ka thënë se ky lajm është një njohje e rëndësishme ndërkombëtare e kontributit të librarisë “Dukagjini”.

“Futja në listën e ngushtë të këtij shpërblimi shumë të lakmueshëm për secilën librari në botë, është një lajm i jashtëzakonshëm për ne, një njohje meritore për përkushtimin tonë ndaj kulturës së leximit në përgjithësi. Jemi të lumtur, po ashtu, që e kemi futur Kosovën në hartën botërore të librit. Shpërblimi eventual, por edhe vetë nominimi, do të përkthehet në motiv për ne që të vazhdojmë punën tonë për të qenë afër secilit lexues”, – ka thënë Muhaxhiri.

Përveç Çmimin për Librarinë e Vitit, panairi ndan çmime edhe në tri kategori të tjera. Në listën e ngushtë për Çmimin Vjetor për Audiobooks janë botuesit presigjiozë nga ShBA-ja, si “Macmillan Audio”, “Princeton University Press”, “Pushkin Industries” dhe “Readyland LLC”. Në kategorinë për Iniciativën e Qëndrueshmërisë garojnë “Bloomsbury Publishing” dhe “Penguin Random House” nga Britania e Madhe dhe “New Society Publishers” nga Kanadaja. Çmimi për Gjithëpërfshirje në Botim, i vlefshëm vetëm për botuesit nga Britania e Madhe, në listën e ngushtë janë “Bloomsbury Publishing”, “Bonnier Books” dhe “Springer Nature”.

Fituesit e çmimeve do të përcaktohen në një ceremoni të veçantë në “Olympia” Londër, më 19 prill 2023, në ditën e dytë të panairit që nis pra më 18 dhe përfundon më 20 prill në Londër. Me 22 vende pjesëmarrëse, në 43 sektorë të ndryshëm të industrisë kulturore dhe me më shumë se 400 aktivitete, Panairi i Librit në Londër është një prej ngjarjeve më të rëndësishme të librit në botë.

Shija e redaktorit

Vetëm në muajin shkurt mërgata ka dërguar 87.9 milionë euro

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, sipas kalendarit të publikimeve, ka prezantuar statistikat për institucionet e tjera financiare për muajin shkurt 2024, të remitancave...

Ndahen 8 milionë euro për 11 komuna

Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal(MAPL), Elbert Krasniqi, ka njoftuar se janë ndarë 8 milionë euro në 11 Komuna. Ministri Krasniqi, bashkë me kryetarët e...

Kosova një hap më afër anëtarësimit në Këshill të Evropës

Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës ka miratuar raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, ku rekomandohet që shteti ka përmbushur...

Të fundit nga rubrika