Kryeqyteti i Maqedonisë së Veriut, Shkupi, këtë të hënë do të jetë nikoqir i Samitit të Krerëve të Shtetit në Procesin e Brdo-Brionit, ku do të marrë pjesë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Fokusi kryesor i këtij samiti është procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe anëtarësimi i rajonit në BE.
Në sesionin e përbashkët me liderë të rajonit, Osmani do ta mbajë fjalim, ndërkaq më pas do të zhvillojë takime bilaterale me krerët e disa shteteve pjesëmarrëse.
“Temat qendrore të takimit të sivjetmë janë përshpejtimi i procesit të anëtarësimit në BE, luftimi dhe zvogëlimi i pasojave nga ndryshimet klimatike në rajon, si dhe krijimi i kushteve për qëndrimin e të rinjve në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në komunikatën e Presidencës.
Në margjinat e Brdo-Brionit, presidentja Osmani mbrëmë është pritur nga presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.
“E falënderoj presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, që na priti sonte në Shkup para takimit të liderëve të Procesit Brdo-Brijuni”, ka shkruar në Twitter presidentja e Kosovës.
Më tej, ajo ka treguar se çfarë do të diskutojë me Pendarovskin, që sipas saj, është rruga euroatlantike.
“Mezi pres të diskutojmë hapat e përbashkët për t’i kapërcyer sfidat e përbashkëta, përpjekjet për prosperitet në rajon dhe të ecim përpara në rrugën e tij euro-atlantike”, ka thënë Osmani.
Takimi i Brdo-Brione është ngjarje vjetore multilaterale në të cilën takohen presidentët e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, si dhe të Sllovenisë dhe Kroacisë, e ku sipas njoftimit të Presidencës, fokusi kryesor i takimit është në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe anëtarësimin e rajonit në BE.
Procesi i Brdo-Brione është një nismë rajonale e bashkëthemeluar nga presidentët slloven dhe kroat në vitin 2010.
Gjatë qëndrimit të Maqedoninë e Veriut, presidentja Osmani krahas presidentit Pendarovski dhe atij të Shqipërisë, Bajram Begaj, do të marrë pjesë në ceremoninë e përurimit të bustit të Shën Terezës në hapësirën e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Shkup.