Udhëheqësit e Bashkimit Evropian dhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor janë mbledhur këtë të premte në Tivat të Malit të Zi në një samit të nivelit të lartë, ku tema kryesore është perspektiva e zgjerimit të bllokut evropian dhe përshpejtimi i procesit të integrimit të rajonit.
Takimi vjen në një moment kur Bashkimi Evropian po kërkon mënyra të reja për të afruar më shpejt vendet kandidate, mes sfidave gjeopolitike dhe ndikimit në rritje të Rusisë dhe Kinës në Ballkanin Perëndimor.
Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, i cili gjatë kësaj jave vizitoi të gjitha vendet e rajonit, ka theksuar se zgjerimi i BE-së mbetet një objektiv real dhe i arritshëm në vitet e ardhshme.
Sipas tij, liderët do të diskutojnë mundësitë për përmirësimin e metodologjisë së anëtarësimit, me synim që procesi të bëhet më i shpejtë dhe më efikas.
Në samit po marrin pjesë liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor – Kosovës, Shqipërisë, Serbisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Bosnjë e Hercegovinës – të cilat ndodhen në faza të ndryshme të rrugës drejt anëtarësimit në BE. Aktualisht, Mali i Zi dhe Shqipëria konsiderohen si vendet më të avancuara në procesin negociues.
Një pjesë e rëndësishme e diskutimeve pritet t’i kushtohet Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe integrimit gradual të rajonit në strukturat evropiane para anëtarësimit të plotë. Liderët do të shqyrtojnë gjithashtu mënyra për forcimin e sigurisë, stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal në një mjedis ndërkombëtar gjithnjë e më kompleks.
Në fokus mbetet edhe dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Kosova në këtë samit përfaqësohet nga ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ndërsa pjesëmarrjen e kanë konfirmuar të gjithë liderët e rajonit.
