Liderët opozitarë kërkojnë drejtësi për viktimat e Masakrës së Reçakut
Më 15 janar, liderët e partive opozitare nderuan viktimat e Masakrës së Reçakut, duke kërkuar drejtësi për viktimat e kësaj masakre. Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka theksuar se edhe 25 vjet pas kësaj tragjedie, dhembja për këtë ngjarje mbetet e madhe për popullin e Kosovës. Krasniqi për masakrën ka thënë […]
Më 15 janar, liderët e partive opozitare nderuan viktimat e Masakrës së Reçakut, duke kërkuar drejtësi për viktimat e kësaj masakre.
Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka theksuar se edhe 25 vjet pas kësaj tragjedie, dhembja për këtë ngjarje mbetet e madhe për popullin e Kosovës.
Krasniqi për masakrën ka thënë se është një krim mizor dhe me paramendim kundër njerëzimit, i cili kishte qëllim politik të Serbisë për të kryer gjenocid dhe spastrim etnik në Kosovë.
Kryetari i PDK gjithashtu vlerësoi lart kontributin e ambasadorit William Walker dhe potencoi se Kosova nuk do të heshtë për krimet ndaj popullatës civile shqiptare derisa drejtësia të vihet në vend për secilën viktimë.
“Kosova nuk do të heshtë asnjëherë për krimet ndaj popullatës civile shqiptare, gjatë luftës së viteve 1998/99, derisa drejtësia të vihet në vend për secilën viktimë të vendit tonë”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Ndërsa, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka kujtuar masakrën si një akt çnjerëzor që tronditi botën dhe e quajti krim kundër njerëzimit.
Abdixhiku ka theksuar rëndësinë e mbajtjes së kësaj dite të dhimbshme në kujtesën e popullit kosovar dhe e shprehu domosdoshmërinë e bashkimit për Kosovën nën hijen e sakrificës së madhe të popullit për liri dhe shtetësi.
“Sot, teksa po largohemi një çerekshekulli nga kjo ngjarje e errët e historisë njerëzore, ndjejmë gjithë afërsinë me dhimbjet e asaj dite të familjarëve e të mbijetuarve. Ndjejmë dhe nevojën që këtë ditë të dhimbshme të kujtesës sonë, ta mbajmë sot e gjithherë si rikujtim që s’shuhet të sakrificës së madhe të popullit tonë për liri e shtetësi. Mbi këtë sakrificë, përbashkimi ynë për Kosovën, atdheun tonë, bëhet domosdoshmëri”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.
Nga ana tjetër, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, përmes një deklarate në Facebook, shprehu respektin dhe mirënjohjen për ata që flijuan jetën në Masakrën e Reçakut.
Haradinaj ka theksuar rëndësinë e aktit të ambasadorit William Walker për të quajtur masakrën si një krim kundër njerëzimit.
Ai gjithashtu vlerësoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe theksoi nevojën për stabilitet dhe paqe në rajon dhe në botë.
“Në këtë përvjetor të Masakrës së Reçakut theksohet edhe më shumë nevoja për stabilitet dhe më shumë paqe në rajon e botë. Kosova është e gatshme të japë kontributin e saj duke qenë në rresht si anëtare e NATO-s së udhëhequr nga miqtë tanë, ShBA-të”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.















