Kreu i Hayat Tahrir-al Shams, Abu Mohammad al-Jowlani, ka shpallur triumfalisht “kapjen e Damaskut” dhe tani përdor emrin e tij të vërtetë, Ahmed al-Sharaa, si një shenjë e ngritjes së tij në një rol kombëtar.

Ky ndryshim identiteti vjen pas një fitorje të papritur dhe të shpejtë të grupit islamist, i cili ka përshpejtuar fundin e regjimit të Assad-it që ka dominuar Sirinë për më shumë se pesë dekada.

Në paraqitjen e tij të parë publike që kur luftëtarët hynë në periferi të Damaskut, ai u tha mbështetësve se fitorja e rebelëve ishte “për të gjithë kombin” dhe se Assad e kishte bërë Sirinë “një fermë për lakminë e Iranit”, raporton BBC.

Al-Sharaa është tashmë një figurë kyçe që pritet të luajë një rol vendimtar në formësimin e rendit të ri të Sirisë, pas rrëzimit të presidentit Bashar al-Assad.

Por ai nuk është i vetmi në këtë skenë të shpejtë dhe të papritur.

Pushtimi i shpejtë nga Hayat Tahrir-al Shams, përballë një rezistence të dobët, ka nxitur rebelët nga rajone të tjera të Sirisë dhe ka shkaktuar një valë grumbullimesh të grupeve lokale të armatosura që kërkojnë të luajnë një rol në zonat e tyre.