Ligji i pagave në sektorin publik mund të shkojë sërish në Kushtetuese
Të enjten deputetët e Kuvendit të Kosovës do të kenë para vetës Projektligjin për pagat në sektorin publik, për të votuar në lexim të dytë. Por, jo të gjithë janë të kënaqur me këtë Ligj, që pritet të rregullojë pagat në sistemin publik. Nga Bashkimi i Sindikatave të Bashkuara, thonë se me atë se çfarë […]
Të enjten deputetët e Kuvendit të Kosovës do të kenë para vetës Projektligjin për pagat në sektorin publik, për të votuar në lexim të dytë.
Por, jo të gjithë janë të kënaqur me këtë Ligj, që pritet të rregullojë pagat në sistemin publik.
Nga Bashkimi i Sindikatave të Bashkuara, thonë se me atë se çfarë kanë parë deri më tash, kërkesat e punëtorëve nuk janë përfillur, derisa paralajmërojnë masa sindikale në rast se nuk përfillen kërkesat e tyre edhe më tutje.
“Për këtë ligj ka ndodhë edhe një grevë, prandaj është edhe problemi që me ardh prap në këtë situatë është e pakumptimtë, sidoqë të jetë nenë parim e mbështesim ligjin si ligj, sepse kemi punuar shumë që të kemi një projektligj, por kjo nuk do të thotë që ne e përkrahim një ligj që nuk i plotëson kërkesat tona”, ka thënë Ali Gashi nga BSPK.
Të pabarabartë e me shumë mangësi e kanë quajtur edhe këtë projektligj edhe deputetët e opozitës, të cilët thonë se i njëjti mund të përfundojë sërish në Gjykatën Kushtetuese.
“Koeficientët e pagave janë ndarë nga Qeveria, në baza grupore, shoqërore dhe politike që nuk do të duhej të sihte ashtu, nuk mbizotëroj arsyeja në Komisionin e Administratës publike, që propozimet që kanë ardhur nga sindikatat”, ka thënë Bekim Haxhiu nga PDK-ja.
“Sa kam marr informacione, për ketë institucionet e sigurisë nuk ka pasur ndonjë avancim, edhe sigurisht nëse nuk u jepet haku këtyre institucioneve, ky ligj është i dështuar dhe sigurisht nuk do e votojmë”, ka deklaruar Bakë Berisha nga radhët e AAK-së.
Megjithatë të kundërtën e thonë nga Lëvizja Vetëvendosje.
“Ky ligj e ka zvogëluar hendekun e pabarazisë, deri sot në Kosovë pagat kanë qenë 1 me 20, ndërsa sot është 1 me 4.78, e është zvogëluar hendeku i pabarazisë mes të gjithë sektorëve por edhe sektorëve mes vete…Unë mendoj se është projektligji më i mirë, për pagat, sigurisht mund të ketë dikush që është i pakënaqur”, ka deklaruar Valon Ramadani nga radhët e LVV-së.
Deputetët e mazhorancës në një seancë të jashtëzakonshme javën e kaluar kanë miratuar shqyrtimin për shmangie të afateve kohore të Projektligjit për Pagat dhe atij për zyrtarët publik.















