Ligji për KPK-në sërish në Kuvend? Haxhiu: E procedojmë brenda një muaji

Albulena Haxhiu, ministre e Drejtësisë

Në fund të muajit mars, Gjykata Kushtetuese e shpalli jokushtetues Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK).

Mirëpo, Ministria e Drejtësisë ka thënë se do ta ridërgojë atë sërish në Kuvend brenda periudhës kohore prej një muaji me ndryshimet sipas aktvendimit të Kushtetueses.

Ndërsa, sipas njohësve të drejtësisë, duhet një ligj i ri, derisa shprehen skeptikë se për kaq pak kohë mund të shkojë i njëjti në Kuvend për miratim.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se janë duke punuar që sa më shpejt ta procedojnë në Kuvendin e Kosovës, pasi nuk mund të lejojnë koorporatizmin në Këshillin Prokurorial të Kosovës.

“Unë besoj që brenda një muaji do të procedohet në Kuvendin e Kosovës, mund të procedojmë edhe më herët, mirëpo e jap si kohë maksimale që do të riprocedohet në Kuvendin e Kosovës, sepse një gjë që e ka adresuar edhe Komisioni i Venecias edhe vetë Gjykata Kushtetuese është koorporatizmi brenda Këshillit Prokurorial të Kosovë. Si ministre e Drejtësisë dhe si Qeveri e Kosovës nuk mund të lejojmë që koorporatizmi të vazhdojë përbrenda KPK-së, prandaj edhe jemi duke punuar që shumë shpejt t’i bëjmë ndryshimet. E kemi parë aktgjykimin e kemi lexuar aktgjykimin dhe do ta procedojmë atë”, është shprehur Haxhiu për KosovaPress.

Por, drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, është shprehur skeptik se ky ligj brenda një muaji mund të shkojë për votim përsëri në Kuvend.

Ai ka insistuar se ky ligj nuk është përfshirë ende as në agjendën legjislative për vitin 2023 dhe si i tillë duhet të krijohet ligj i ri.

“Do të ishte e pazakontë dhe jo normale që Ministria e Drejtësisë të ngutet për ta dërguar ligjin brenda një muaji, nëse kjo është qëndrim zyrtar i Ministrisë pa i kaluar fazat të cilat i kërkon miratimi i një iniciative ligjore kaq të rëndësishme… Me vetë faktin që ky ligj është kthyer nga Gjykata Kushtetuese, MD do të duhej të kishte konsideratë të shtuar për këtë ligj në mënyrë që me rastin e hartimit të tij, dërgimit në Qeveri e miratimit në Kuvend, të sigurohet që i njëjti mos të kthehet prapë nga Gjykata Kushtetuese”, ka thënë ai.

“Ky duhet të jetë një ligj krejtësisht i ri, duhet që në radhë të parë të futet në agjendën legjislative për vitin 2023, të formohet grupi punues të ketë konsultime me akterë të shoqërisë civile me KPK, me grupet e interesit dhe pastaj ky grup punues ta finalizojë draftin e ligjit, sigurisht që nëse grupi punues do të ulej 10 ditë apo 1 javë intensivisht të punojë do ta përfundojë, por pas përfundimit të draftit të ligjit, i njëjti në bazë të rregullores së qeverisë për konsultime publike”, ka theksuar tutje Miftaraj.

Ndërkaq, Viola Bunjaku, monitoruese në Lëvizjen Fol, e ka konsideruar të domosdoshme që në ndryshimet e ligjit të KPK-së duhet të përfshihen ndryshimet e paraparë në aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Mendojmë se ato ndryshime kryesisht të jenë të reflektuara nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese dhe konkretisht të bëhen ato ndryshime që janë kërkuar nga aktgjykimi, për shkak se janë të kundërligjshme, pra janë kundër kushtetuese dhe gjithsesi duhet të adresohen në ndryshimet që duhet t’i bëjë MD… Nëse flasim për 1 muaj, mund të themi se është periudhë e shkurt kohore, nëse vetë Ministria ka punë intensive për këtë ligj, atëherë do të ishte mirë që brenda një muaji do të ishte sukses që të gjitha këto çështje të adresohen në ligjin për KPK, por do të shohim kur të publikohen ndryshimet e bëra nga MD se sa ka qenë i mjaftueshëm ky 1 mujor që t’i plotësojë të gjitha ato ndryshime”, ka thënë ajo.

Në fund të muajit mars, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka shpallur të pavlefshëm Ligjin për KPK-në.

E këtë vendimit të Kushtetueses, ministrja Haxhiu e ka quajtur absurd, madje një konferencë për medie deklaroi se Kushtetuesja ka injoruar në tërësi të dy opinionet e Komisionit të Venecias në lidhje me këtë ligj, duke i dhënë një goditje të rëndë Kosovës, por edhe duke penguar reformën në drejtësi.

Shija e redaktorit

Raporti për lirinë e medias vlerësohet alarm për shoqërinë dhe...

Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit vendi ynë shënoi rënie për 19 vende në indeksin e lirisë së medieve nga “Reporterët Pa Kufij”....

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Të fundit nga rubrika