Ligji për Zgjedhjet, sikurse avokati popullit mendon edhe shoqëria civile
Ashtu siç u tha edhe ndodhi. Pas letrës publike të drejtuar Presidentes Vjosa Osmani, Avokati Popullit, Naim Qelaj, shqetësimin e tij për ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme e ka shfaqur edhe në zyrën e presidentes të martën mbrëma. Në një takim për të cilën njoftuan zyra e Presidentes, temë kyçe ishte ai ligj, që sipas […]
Ashtu siç u tha edhe ndodhi.
Pas letrës publike të drejtuar Presidentes Vjosa Osmani, Avokati Popullit, Naim Qelaj, shqetësimin e tij për ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme e ka shfaqur edhe në zyrën e presidentes të martën mbrëma.
Në një takim për të cilën njoftuan zyra e Presidentes, temë kyçe ishte ai ligj, që sipas Avokatit ka tejkalim të ligjit për barazi gjinore.
“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim Avokatin e Popullit të Kosovës, Naim Qelajn. Në takim u diskutua për situatën në vend për sa i përket të drejtave të njeriut. Me këtë rast, Avokati i Popullit e njoftoi Presidenten Osmani për rastet më të shpeshta që adresohen në këtë institucion sa i përket shkeljes së të drejtave të njeriut, ndërkohë që u diskutua edhe për bashkëpunimin ndërinstitucional me qëllim të garantimit të të drejtave të qytetarëve. Ndër të tjera, Presidentja Osmani u informua edhe për analizën që e ka bërë ky institucion rreth Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, përkitazi me barazinë gjinore, çështje, të cilën Avokati i Popullit e ka ngritur edhe në takimin e fundit të Këshillit për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut”, thuhet nga Zyra e Presidentes.
Ndërkohë paralajmërimin e Avokatit të Popullit se ky ligj mund të marrë epilogun përfundimtar në Gjykatën Kushtetuese po përkrahet nga gratë e shoqërisë civile.
Sipas Neri Ferizit gratë në politikë kanë më shumë për mundësi e hapësirë për çka barazia 50 me 50 në lista zgjedhore do të ndihmonte shumë.
Ndërkohë, gjatë ditës kryeministri Albin Kurti dhe zëvendësja e tij Donika Gërvalla në mbledhjen e fundvitit të Qeverisë kanë përmendur ndryshimet në ligjin për zgjedhje por nuk i kanë dhënë vëmendje vërejtjeve të Avokatit të Popullit.















