Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, ka deklaruar se ekzistojnë alternativa për ta zhbllokuar situatën politike në vend dhe se partia e tij është e gatshme të konkretizojë një marrëveshje me Lëvizjen Vetëvendosje edhe me shkrim.

“E rëndësishme është që tash ka alternativa që të paktën të bëhet një hap drejt daljes nga bllokimi. Nisma është e gatshme që këtë marrëveshje ‘gentelmene’ ta konkretizojë edhe me marrëveshje me shkrim”, ka deklaruar Limaj para nisjes së seancës konstituive të Kuvendit.

Ai ka theksuar se nuk bën dallim mes alternativave që janë në tavolinë, por theksoi se “kanë disa mundësi që duhet me i shfrytëzu, a do të shfrytëzohen nuk e di”.

Limaj ka konfirmuar se ka pasur takime me përfaqësues të Vetëvendosjes, përfshirë edhe kryetarin Glauk Konjufca.

“Kemi folur për të gjitha temat me Konjufcën kur jemi takuar para dy ditëve. Po, kemi biseduar edhe me kryetarin e LVV-së, e kemi lënë të takohemi dhe të bashkëbisedojmë. Shpresoj që do të takohemi ditëve në vijim për të diskutuar tema të ndryshme”, ka theksuar ai.

Sipas Limajt, kjo është një situatë që nuk duhet konsideruar e jashtëzakonshme.