Limaj kërkon nga Qeveria hapa konkretë: Të bëhen ndryshimet në Ligjin për Specialen

Fatmir Limaj, ish-komandat I UÇK-së dhe kryetari i Nismës, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të ndërmarrë hapa konkretë pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Limaj në Debat Plus, ka thënë se nëse institucionet e Kosovës e kanë cilësuar aktgjykimin si të padrejtë, të papranueshëm, anti-historik dhe të pabazuar në fakte e prova, atëherë, sipas tij, duhet të ndërmerren masa konkrete dhe këto shqetësime të paraqiten përmes rrugëve ligjore.

“Po thua është gjykim i papranueshëm, është i padrejtë, është anti-historik, nuk e respekton historinë, nuk është i bazuar në fakte dhe prova. Krejt këto cilësime po ia bën aktgjykimit. Tash po shkon në apel. Qysh? Çka po bën ti për me ndryshu?”, ka deklaruar Limaj.

Ai ka kërkuar që Qeveria të procedojë me propozimet për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

“Ndalu, nëse i ke përnjëmend këto cilësime, merrni masa. [Çka ka me bo Qeveria?] Le të shkojnë me propozimet që i kemi. Plotësim-ndryshim të Ligjit”, ka thënë Limaj.

Limaj ka kundërshtuar edhe pretendimet se ndryshimi i këtij ligji do të kërkonte ndërhyrje në Kushtetutë, duke deklaruar se, sipas tij, ligji mund të ndryshohet me 31 vota në Kuvend.

“Ky ligj ndryshohet me 31 vota. Me 31 vota. 61 me marrë pjesë, 31 me votu, ndryshohet”, është shprehur ai.

Sipas Limajt, një nismë e tillë nuk do të nënkuptonte ndërhyrje në drejtësinë e Dhomave të Specializuara apo në procesin e apelimit.

“Kosova nuk është duke e refuzuar drejtësinë. As nuk ka ndërhy aty, as në apel. Kosova është duke i kthyer në mandat. Kosova është duke thënë: ‘Ngadalë pak, këtu nuk është e drejtë’”, ka deklaruar ai.

Limaj ka thënë se nëse institucionet kanë shqetësime dhe fakte që i mbështesin cilësimet e bëra ndaj aktgjykimit, ato duhet të paraqiten në rrugë institucionale dhe ligjore.

“Nëse janë këto fakte, nëse i keni këto shqetësime që i kemi dhënë aktgjykimit, nga të gjitha anët, nga pushteti, nga opozita, duhet me ato shqetësime me i paraqit dikund. Ku duhet me i paraqit? Në ligj”, ka thënë ai.

Limaj ka theksuar gjithashtu se, sipas tij, duhet të shqyrtohet edhe çështja e integritetit dhe përbërjes së trupave gjykuese, duke përfshirë edhe gjyqtarët e Apelit.

“Pastaj integriteti i atyre njerëzve, kush janë ata gjyqtarë? Gjykata e Apelit. Kjo që po dëgjojmë tash, po e presim Apelin. Duhet parë kush do të jetë aty”, ka deklaruar Limaj.

Të fundit nga rubrika