Kreu i NISMA-së, Fatmir Limaj ka deklaruar se aktualisht nuk ka pranuar asnjë ftesë nga Presidentja, Vjosa Osmani për takim konsultativ lidhur me gjendjen aktuale.

“Skam marrë ende asnjë ftesë nga presidentja”, tha Limaj.

Ai deklaroi se nëse do të merrte ftesë, “normalisht se do ti përgjigjej pozitivisht”.

“kemi disa propozime nëse do të kishte ftesë nga Osmani. Por fillimisht duhet të rishikohet arsyejet se pse po ftohemi pastaj do të japim disa sygjerime”, shtoi ai.

Disa minuta më parë, edhe deputeti nga Lista Guxo deklaroi se nuk ka pranuar ftesë zyrtare për takim nga presidentja, Vjosa Osmani dhe se partia e tij Guxo duhet të marrë ftesë nga Osmani për konsultimet për dalje nga ngërçi politik.

Ndryshe, sot deputetët e Kuvendit janë mbledhur për vazhdimin e 15-të me radhë të seancës konstituive. Ndërkohë që asnjë nga partitë parlamentare nuk ka treguar për ndryshim qëndrimesh. 

Ndërsa, ditë më parë Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se do të fillojë konsultimet me partitë politike në përpjekje për të konstituuar Kuvendin e Kosovës.

Këtë e konfirmoi këshilltari për media i presidencës, Bekim Kupina.

“Presidentja Osmani do të fillojë një seri konsultimesh rreth çështjes së konstituimit të Kuvendit nga data 15 maj. Ftesat tashmë janë dërguar për takimet e para dhe po presim konfirmimet”, tha Kupina.

Më 11 maj, për të katërmbëdhjetën herë më radhë, deputetët dështuan të konstituojnë Kuvendin e Kosovës.

Derisa partitë e tjera politike nuk përkrahin zgjedhjen e Albulena Haxhiut në pozitën e kryetares së Kuvendit, Lëvizja Vetëvendosje që fitoi zgjedhjet, vazhdon të insistojë se nuk do të propozojë emër tjetër për kryeparlamentar.

Sa herë që emri i Haxhiut u hodh në votim nuk mori votat e nevojshme për tu zgjedhur në këtë pozitë.

Ditë më parë kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, propozoi që për kryeparlamentarin të votohet përmes votës së fshehtë. Por as për këtë proces, në seancat e kaluara nuk u siguruan votat e nevojshme dhe procesi ka ngecur.