Kryetari i Nismës Socialdemokrate, njëherësh ish-komandanti i UÇK-së, Fatmir Limaj, në emisionin Debat Plus me Ermal Pandurin është pyetur nëse njerëzit e Lidhjes Demokratike të Kosovës ishin në shënjestër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ai ka deklaruar se target ka qenë okupatori serb, dhe jo njerëzit brenda partisë së LDK-së.

“Target i UÇK-së ka qenë okupatori serb, dhe këtë nuk ka nevojë me e thanë. UÇK-ja ka pasur një target çlirimin e vendit të vet, UÇK-ja nuk ka pasur target as ndaj ushtrisë jugosllave deri sa është dal prej kazermave. Kurrë nuk ka ndodhur që me u sulmu një kazermë ushtarake deri sa ata nuk kanë dalë veprime ushtarake”, është shprehur Limaj.

“Edhe unë kam qenë i akuzuar së bashku me Isakun edhe me Haradinajn, për ndërmarrje të përbashkët kriminale. Trupi gjykues edhe i shkallës së parë edhe i Apelit kishte ardhur në përfundim se nuk ka qenë ndërmarrje kriminale, se UÇK-ja nuk ka pasur politik e as objektiv të targetimit apo sulmimit të popullatës civile dhe UÇK-ja nuk ka qenë ndërmarrje kriminale”, ka thënë tutje Limaj.

Gjithashtu, ai ka shtuar se UÇK-ja kishte shënjestruar aparatin e dhunës, të ashtuquajturat stacione policore, të cilat sipas tij, po i prezantojnë si stacione dhe nga ana e tij nuk ishin stacione pasi që stacionet policore në Kosovë kanë përfunduar në vitin 1992.

“Stacione të policisë në Kosovë nuk ka pasur mbas viti 1990 kur janë larguar policia e Kosovës, ka pasur vende çerdhe, gestapo ku është ushtruar dhuna, ku janë dhunuar e vrarë të rinjtë e të rejat e Kosovës. Këto kanë qenë pikat e ndalimit të aparatit të dhunës serbe dhe ky ka qenë targeti i UÇK-së”, ka deklaruar ai.