Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë thirrje për lirinë e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe të tjerëve që po gjykohen në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama ka shkruar “Liri për çlirimtarët”, ndërsa procesin gjyqësor e ka cilësuar si farsë, duke thënë se tashmë është në ditët e fundit, njofton Dukagjini.
Rama ka deklaruar se, pavarësisht asaj që mund të pritet nga, siç i quan ai, autorët e këtij procesi, askush nuk mund t’ia marrë lirinë Thaçit.
“Farsa është në ditët e fundit dhe gjithçka pret njeriu nga autorët e saj, por siç e ka thënë vetë Hashimi, lirinë nuk ia merr dot askush, askund, e ashtu siç Kosova triumfoi duke besuar te liria edhe kur s’kishte askënd e asgjë përpos etjes së vet për liri, ashtu do të triumfojë edhe Hashim Thaçi me forcën e të vërtetës së tij, të cilën vitet e burgut veç e kanë bërë më të madhe bashkë me mbështetjen e krejt Shqiptarisë”, ka shkruar Rama.