Liria e medias në Serbi “përtokë”: Regjimi i Vuçiqit vazhdon të luftojë gazetarët
Gazetarët në Serbi po përballen me presione të vazhdueshme, dhunë fizike dhe ndëshkime institucionale, ndërsa Bashkimi Evropian mban heshtje. Kështu konkludon një raport i gjerë i “Media Freedom Rapid Response” , i publikuar nga Instituti Ndërkombëtar i Shtypit (IPI), i cili e përshkruan situatën si “liri e medias në gjendje të jashtëzakonshme”. Sipas raportit, Serbia […]
Gazetarët në Serbi po përballen me presione të vazhdueshme, dhunë fizike dhe ndëshkime institucionale, ndërsa Bashkimi Evropian mban heshtje. Kështu konkludon një raport i gjerë i “Media Freedom Rapid Response” , i publikuar nga Instituti Ndërkombëtar i Shtypit (IPI), i cili e përshkruan situatën si “liri e medias në gjendje të jashtëzakonshme”.
Sipas raportit, Serbia ka shënuar pikët më të ulëta ndonjëherë në Indeksin e Lirisë së Shtypit për vitin 2025. Gazetarët përballen me fyerje, frikësim, mbikëqyrje dhe madje edhe dhunë fizike, si në terren ashtu edhe në media, ku shpesh shënjestrohen nga zyrtarët më të lartë të shtetit, përfshirë presidentin Aleksandar Vuçiq.
Shoqata e Pavarur e Gazetarëve të Serbisë ka regjistruar 123 incidente ndaj gazetarëve vetëm në vitin 2025: 15 sulme fizike, 71 raste presioni dhe 34 kërcënime verbale. Asnjë prej sulmuesve nuk është ndëshkuar deri më tani.
Më 17 maj, gjatë një tubimi të Partisë Përparimtare Serbe (SNS) në qytetin e Nishit, gazetari i radios australiane SBS, Nikola Doderoviq, u ndalua për më shumë se një orë. Po ashtu, gazetarja Tamara Radovanoviq nga “Juzne Vesti” u sulmua, por në vend që policia të ndalonte sulmuesin, ajo e largoi gazetaren nga vendi i ngjarjes.
Në një ngjarje tjetër më 16 maj në afërsi të Kosjeriçit, kameramani i N1, Marjan Vuçetiq, u sulmua fizikisht dhe u nxor me forcë nga një tendë ku po zhvillohej një aktivitet i SNS. Po atë ditë, fotoreporteri Gavrilo Andriq u ndalua nga policia gjatë protestave në Novi Sad dhe u pengua të raportonte.
“Privimi i punonjësve të medias nga liria e tyre flet qartë për synimin për të mos lejuar që publiku të informohet për ngjarjet që e prekin drejtpërdrejt”, ka thënë Veran Matiq, kryetar i bordit drejtues të Shoqatës së Mediave Elektronike të Pavarura (ANEM), për IPI.
Në protestën më të madhe në historinë e Serbisë më 15 mars, gjatë një minute heshtjeje nga studentët, një zhurmë e fortë shkaktoi panik masiv. OJQ-të përpiluan 3,032 dëshmi për përdorimin e mundshëm të një arme zanore kundër protestuesve. Në vend të hetimeve, Ministri i Drejtësisë kërkoi ndëshkim për ata që “shpërndajnë dezinformata”.
Presidenti Vuçiq deklaroi se “do të padisë personalisht prokurorin që refuzoi të arrestonte gazetarët”.
Sipas IPI, në Serbi po e afrohet skenari i Bjellorusisë, me institucione të kapura dhe propagandë shtetërore. Televizionet me licenca kombëtare transmetojnë emisione që shpesh ftojnë figura të dënuara për krime lufte apo mbështetës të regjimit të Slobodan Millosheviqit.
Trupi rregullator REM, i cili duhet të mbikëqyrë transmetimet, vepron si një mjet i qeverisë. Përpjekjet për reformim kanë dështuar. Më 28 prill, pas bllokadave të studentëve përpara Radio Televizionit të Serbisë (RTS), qeveria pranoi të shpallë konkurs të ri për përbërjen e REM.
Por skeptikët si Sasha Mirkoviq thonë se kjo ishte vetëm një lëvizje për t’i bërë përshtypje Komisioneres për Zgjerim të BE-së, Marta Kos, e cila vizitoi Beogradin më 30 prill.
RTS akuzohet si transmetues shtetëror, që vonoi me muaj raportimin për protestat dhe i quajti studentët “nazistë”. Madje, edhe gazetarë të RTS u bashkuan me protestat për ndershmëri dhe pavarësi në raportim.
Euronews Serbia, e financuar plotësisht nga Telekom Serbia – kompani shtetërore e drejtuar nga njerëz besnikë të qeverisë – publikoi një deklaratë të pa firmosur kundër protestave përpara RTS, duke përdorur terma si “persekutim” dhe “torturë”. 78 gazetarë të Euronews Serbia u distancuan publikisht nga ajo deklaratë, ndërsa presionet ndaj tyre u shtuan.
Telekom Serbia ka blerë së fundmi paketën e kanaleve të rrjetit kabllor privat SBB dhe ka hequr nga transmetimi televizionet e pavarura N1 dhe Nova, duke kufizuar më tej aksesin në raportim të pavarur.
Gazetaret Sandra Gucijan dhe Dorotea Qarniq nga gazeta “Politika” u shkaruan më 20 maj. Arsyetimi jozyrtar? Mbështetja që kanë shprehur ndaj protestave të studentëve në rrjetet sociale. Shkarkimet e tyre konsiderohen si hakmarrje politike dhe paralajmërim për të tjerët.
Raporti gjithashtu, siç e vë në spikamë Instituti Ndërkombëtar i Shtypit, thekson rrezikun në rritje të survejimit të gazetarëve me programe spyware. Sipas Amnesty International, nga dhjetori i vitit të kaluar janë identifikuar pajisje të infektuara me software-in Cellebrite, të përdorur për ndjekje dhe përgjim nga shërbimet e sigurisë.















