“Liria ka emër”: Procesi në Hagë ka devijuar – Paraburgimi i gjatë i Thaçit e të tjerëve, shkelje e të drejtave të njeriut
Platforma “Liria ka emër” ka mbajtur sot një konferencë për media, ku është ngritur shqetësimi për ecurinë e procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale në Hagë. Ideatori i platformës, Ismail Tasholli, ka deklaruar se procesi ka devijuar nga rruga e një gjykimi të drejtë dhe të paanshëm. Sipas tij, gjatë këtij procesi […]
Platforma “Liria ka emër” ka mbajtur sot një konferencë për media, ku është ngritur shqetësimi për ecurinë e procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale në Hagë.
Ideatori i platformës, Ismail Tasholli, ka deklaruar se procesi ka devijuar nga rruga e një gjykimi të drejtë dhe të paanshëm.
Sipas tij, gjatë këtij procesi janë evidentuar shkelje të Kushtetutës së Kosovës, Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe jurisprudencës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
“Sot, kur procesi po shkon drejt përfundimit dhe prokuroria ka përmbyllur paraqitjen e provave, jemi të bindur se këto shkelje janë të qarta dhe alarmante. Duhet të ngrihet zëri kundër padrejtësive që po ndodhin në këtë gjykatë, që është e Kosovës”, ka deklaruar Tasholli.
Ai ka theksuar se po mohohen të drejtat themelore dhe procedurale të të akuzuarve, ndërsa procesi po vonohet në mënyrë të pajustifikueshme.
“Kërkojmë me vendosmëri që të rishqyrtohen praktikat e kësaj gjykate, të sigurohet respektimi i plotë i Kushtetutës dhe të garantohet që procesi gjyqësor të zhvillohet mbi bazën e drejtësisë dhe jo mbi bazën e paragjykimeve”, ka deklaruar Tasholli në konference për media.
Juristi dhe profesori Përparim Gruda ka theksuar se paraburgimi i gjatë i Hashim Thaçit dhe të tjerëve përbën shkelje të të drejtave të njeriut dhe të Kushtetutës së Kosovës.
Ai ka deklaruar se marrja e provave nga Serbia e vendos mbrojtjen në pozitë të pabarabartë dhe kërkoi ndaljen e kësaj praktike.
“Gjykata Speciale, e cila akuzon zotëri Thaçin e të tjerët është bërë në bazë të raportit të Dick Martin dhe sot jemi gati në fund të procesit dhe nuk ekziston asnjë fjali e shtëpisë së verdhë. Hashim Thaçi dhe të tjerët janë për më shumë se katër vjet në paraburgim e jo në burg, është e argumentuar që është shkelje e standardeve për të drejtave të njeriut, shkelje e Kushtetutës së Kosovës. Është shqetësuese, sepse të gjithë kemi besuar që ka pasur për qëllim të garantohet që gjykimi do të mbetet brenda standardeve evropiane dhe nuk do të ketë ndërhyrje në drejtësi”, ka theksuar ai.
“Shkelja e tretë, është marrja e provave përmes Serbisë. Serbia është vend armiqësor ndaj Kosovës, dhe fakti që Prokuroria ka akses për të marrë prova, e mbrojtja nuk ka akses, sepse nuk ka kuptim, i vë në pozicion të pabarabartë”, ka theksuar ai.
“E katërta, në rastin e Salih Mustafës. Dhoma Kushtetuese ka refuzuar zbatimin e parimit lex mitior, zbatimi i ligjit më të favorshëm. Ky parim është pjesë e Kushtetutës dhe Konventës për të Drejtat e Njeriut. Kjo është bërë në emër të autonomisë, kundrejt rendit juridik”, ka shtuar Gruda.
















