“Liridona Ademaj u vra me paramendim. U vra se ishte grua”, kështu ka reaguar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas vrasje se Lirdona Ademajt nga burri i saj Naim Mureseli i cili e porositi vrasjen e gruas se tij.

Më tej, kryeministri ka thënë se vetëm 2arrestim i kriminelëve nuk po mjafton2.

“Barra e padrejtësive të sistemit të drejtësisë vazhdon të bie mbi supet e grave dhe vajzave, përderisa kryesit e krimeve nuk marrin dënime meritore”, ka theksuar Kurti.

“Sot ishte seanca dëgjimore, ku tre të dyshuarve iu caktua nga një muaj paraburgim. Urdhërdhënësi, dorasi dhe bashkëpunëtori në vrasjen e Liridonës duhet të ndëshkohen dhe ta marrin dënimin maksimal. Kjo bëhet me një sistem prokurorial e gjyqësor efektiv dhe të vetëdijshëm për detyrën e lartë shoqërore që bartin”, ka shtuar ai.

“Ndërgjegja të jetë kolektive”

Sipas Kurti rasti i vrasje se Lirdonës ka bërë që “dhimbja është e madhe dhe ndërgjegja është kolektive, në secilën familje, shtëpi”.

“Gratë dhe vajzat po vazhdojnë të vriten, gjersa normat shtypëse patriarkale ende janë të shpërndara gjerë”, thotë kryeministri i Kosovës.

Ndërkohë Kurti kërkon nga zyrtarët e shtetit që të jenë shembull në respektimin e të drejtave të grave.

“Për ta parandaluar këso krime makabër, duhet të punojmë secili e secila, në secilën fushë e vend.Këtë kulturë patriarkale e mizogjene, këtë maskulinitet të dhunshëm e toksik e zhdukim vetëm ashtu”.

“E qytetarët e Republikës presin nga zyrtarët publikë që punojnë (apo kanë punuar) në institucionet shtetërore se duhet të jenë shembull pozitiv e progresiv në shoqëri për sjelljen e tyre ndaj partnerëve dhe në familje e jo kriminelë a mujsharë që besojnë se ia dalin”, ka përfunduar ai.