Lirohen gjashtë aktivistët e PSD-së, të arrestuar në protestën kundër Trëndafilovës
Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj dhe pesë aktivistët e tjerë si Zgjim Hysenit, Nol Nushit, Agron Kabashit, Korab Korçës dhe Gent Brahimi janë liruar nga masa e ndalimit. Sipas Molliqajt, ata u vendosën “padrejtësisht në mbajtje dhe nagrokohen për gjëra të paqena”, teksa shtoi se qëllimi ishte që “të izoloheshim për sa kohë që znj. […]
Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj dhe pesë aktivistët e tjerë si Zgjim Hysenit, Nol Nushit, Agron Kabashit, Korab Korçës dhe Gent Brahimi janë liruar nga masa e ndalimit.
Sipas Molliqajt, ata u vendosën “padrejtësisht në mbajtje dhe nagrokohen për gjëra të paqena”, teksa shtoi se qëllimi ishte që “të izoloheshim për sa kohë që znj. Trendafilova është në Kosovë”.
“Unë, Zgjimi, Noli, Agroni, Korabi e Genti sapo u liruam. Dhuna joproporcionale e policore u pa. Ajo nuk ka justifikim. Duke u munduar t’i dëshmohen kryetares së gjykatës, u vendosëm padrejtësisht në mbajtje dhe ngarkohemi për gjëra të paqena. Këtë e di Gjykata, por qëllimi ishte që ne të izoloheshim për sa kohë që znj. Trendafilova është në Kosovë. Kjo nuk ka lidhje me drejtësi”- ka thënë Molliqaj.
“Kjo gjykatë, me këtë kryetare, sa më tepër që po mundohet ta rregullojë imazhin, aq më tepër po del në pah sa politike dhe anti-UÇK është. E vërteta nuk lejon makiazhin. Maskë nuk ka më. Ajo u pa. Ju faleminderit shumë për mbështetjen e treguar”- ka shtuar ai.
Policia e Kosovës ka arrestuar disa aktivistë të Partisë Socialdemokrate pasi protestuan me mjete tymuese të mërkurën, kundër vizitës së kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova dhe një takimi të saj në një hotel në Prishtinë me shoqërinë civile.
Ndryshe, Partia Socialdemokrate (PSD) ka njoftuar se kryetari i tyre, Dardan Molliqaj dhe anëtarët e tjerë të PSD-së, të arrestuar gjatë ditës nga Policia e Kosovës, janë ndaluar për 48 orë.
Ata ishin arrestuar pas protestës kundër vizitës së kryetares së Gjykatës Speciale, Ekatarine Trendafilova.
PSD-ja e ka quajtur vendim politik, masën e ndalimit 48-orësh për kryetarin dhe aktivistët e saj.
”PSD izolohet që Trendafilovës t’i bëhet vizita sa më normale. Por, lufta e saj për imazh është e humbur. Prokuroria ka vendosur që kryetarit të PSD-së, Dardan Molliqaj, Zgjim Hysenit, Nol Nushit, Agron Kabashit, Korab Korçës, Gent Brahimit t’iu jepet masa e ndalimit për 48 orë”, thuhet në njoftim.
Më 29 nëntor, Partia Socialdemokrate e ka pritur me protestë kryetaren e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, gjatë vizitës së saj në Kosovë të mërkurën.
Aktivistët e PSD-së janë mbledhur përpara vendit ku Trendafilova do të mbajë takim me shoqërinë civile.
“TrendafilOUT”, “UÇK-ja nuk mund të gjykohet”, “Historia është shkruar, propaganda ka dështuar”, janë disa nga pankartat e mbajtura nga aktivistët e PSD-së.
Trendafilova kishte tentuar edhe dy herë të tjera të vijë në Kosovë, por i ishin anuluar vizitat.
Fillimisht, në qershor të vitit 2022, me arsyetimin e pjesëmarrjes së madhe në një takim, ajo diskutimet i realizoi online.
Kurse, në shtator takimin e anuloi për shkak të protestës së Partisë Socialdemokrate.
Megjithatë, i çuditshëm është fakti që mediet janë ftuar, por që nuk do të lejohen të kenë kamerat e tyre në sallën e konferencës.















