Lirohen nga akuza për korrupsion drejtoresha e Inspeksionit dhe inspektori i ndërtimit në Suharekë

Gjykata Themelore në Prizren ka shpallur aktgjykim lirues ndaj drejtoreshës së Inspeksionit në Suharekë, Jehona Rrafshi- Lumi dhe inspektorit të ndërtimit, Hafir Maliqaj, të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare

Gjykata Themelore në Prizren ka shpallur aktgjykim lirues ndaj drejtoreshës së Inspeksionit në Suharekë, Jehona Rrafshi- Lumi, dhe inspektorit të ndërtimit, Hafir Maliqaj, të akuzuar për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar.

Aktgjykimi u shpall të enjten nga kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Teuta Krusha, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësja Krusha tha se të akuzuarit, Rrafshi- Lumi dhe Maliqaj i liron nga akuza në mungesë të provave, pasi, sipas saj, nuk është provuar se të njëjtit kanë kryer veprën që u vihej në barrë.

Sipas aktgjykimit, të akuzuarit janë liruar edhe nga shpenzimet e procedurës penale dhe pagesa për kompensimin e viktimave të krimit.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Prizrenit të ngritur më 19 prill 2021, e akuzuara Jehona Rrafshi-Lumi ngarkohej me veprën penale të “Keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa i akuzuar Hafir Maliqaj, ngarkohej me dy vepra penale të “Keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Në aktakuzë thuhet se e akuzuara Rrafshi-Lumi, duke shfrytëzuar autoritetin zyrtar i tejkalon kompetencat e pastaj nuk e përmbush detyrën zyrtare, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër.

Aktakuza thotë se në vend të inspektorit të ndërtimtarisë ne cilësinë e drejtoreshës së Drejtorisë së Inspeksionit të Komunës së Suharekës, nxjerr konkluzion 09 Nr.109, të datës 26 maj 2020, e pastaj më 29 maj 2020 në vendngjarje në parcelat kadastrale nr.2667-0 dhe 2685-0, pronë e të dëmtuarës “AgroKosova – Holding ”, në rrugën “Ukë Bytyqi” në lagjen Shirokë të Suharekës, nuk e rrënon në tërësi objektin afarist të ndërtuar pa leje, të investitorit Blerim Gashi dhe kësisoj i shkakton dëm material ose ia shkel të drejtat e të dëmtuarës.

Për këtë, ajo akuzohej se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 1 e lidhur me paragrafin 3, pika 3.6 të KPRK-së.

Ndërsa, i pandehuri Hafir Maliqaj akuzohej se në cilësinë e personit zyrtar, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare nuk i përmbush detyrat zyrtare, me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër.

Sipas aktakuzës, pas datës 29 maj 2020, si inspektor i ndërtimtarisë në Drejtorinë e Inspeksionit të Komunës së Suharekës, nuk ndërmerr masa ligjore për pengimin e rindërtimit pa leje të objektit afarist, i ndërtuar nga investitori Blerim Gashi në parcelat kadastrale 2667-0 dhe 2685-0, pronë e të dëmtuarës “Agrokosova – Holding” në rrugën “Ukë Bytyqi”, në lagjen Shirokë të Suharekës, duke u mjaftuar vetëm me nxjerrjen me vonesë të një urdhër ekzekutimi të lëshuar nga drejtoresha e Drejtorisë së Inspeksionit 09 Nr.2076, më 30 nëntor 2020, pasi ka përfunduar ndërtimi, dhe me këtë të dëmtuarës i është shkaktuar dëm material ose shkelur të drejtat e saj.

Për këtë, ai akuzohej se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 paragrafi 1 të KPRK-së.

Tutje, në aktakuzë thuhet se i akuzuari Hafir Maliqaj, si person zyrtar, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar nuk i përmbush detyrat zyrtare me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër, në atë mënyrë që nuk vepron sipas urdhrit të aktvendimit të lëshuar vetë më 20 gusht 2020, që në afatin e lejuar prej 15 ditësh të pajiset me leje ndërtimi.

Në aktakuzë thuhet se gjatë këtij afati, njëherit ta mbikëqyrë dhe pengojë investitorin Xhevdet Rexhepin, pronar i objektit afarist “Viva Fresh” në fshatin Reshtan – Komuna e Suharekës, që të vazhdojë me ndërtim, por përveç që nuk e bën këtë, po ashtu del me vonesë në vend të ngjarjes më 28 shtator 2020, ku në procesverbalin e hartuar të datës 28 shtator 2020, pasi urdhëron ndërprerjen e punimeve në vend që të ndërmarrë masa, që investitorit t’i lejojë afat për rrënim vullnetar e pastaj eventualisht për rrënim të detyrueshëm, përsëri i jep afat shtesë, por tani më të gjatë, prej 30 ditësh, që të pajiset me leje ndërtimi, me të cilat veprime i ka shkaktuar dëm material komunës së Suharekës.

Për këtë, ai akuzohej se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 1 të KPRK-së.

Shija e redaktorit

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Për tre muaj diaspora dërgoi mbi 284 milionë euro në...

Banka Qendrore të Kosovës (BQK) ka prezantuar të dhënat e fundit lidhur me dërgesat e mërgatës dhe të dhëna të tjera financiare për muajin...

Të fundit nga rubrika