Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka liruar kirurgun e Spitalit të Vushtrrisë, Arsim Latifiaj, i arrestuar të martën nën dyshimin për marrje ryshfeti.

Kështu ka bërë të ditur për Portalin Dukagjini zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, Valon Preteni.

Ndërsa, ndaj kirurgut tjetër Ekrem Sefiu, Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit. Isuf Zekaj i cili poashtu është i dyshuar ende gjendet në arrati.

“Për njërin person të ndaluar, me iniciale E.S., Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit, dhe seanca pritet të mbahet sot në Gjykatën Themelore në Mitrovicë. I ndaluari tjetër me iniciale A.L., është liruar dhe për të njëjtin do të vendoset në procedurë të rregullt, ndërkaq personi i tretë për këtë rast me iniciale I.Z., nuk është intervistuar ende pasi që ende nuk është arrestuar”, ka thënë Preteni.

Ndryshe, të martën e 10 janarit, Spitali “Sheikh Zayed” në Vushtrri ka njoftuar se dy doktorë janë arrestuar pas pretendimeve se janë përfshirë në një aferë korruptive.

Sipas njoftimit, të njëjtit janë suspenduar edhe nga puna.

Gjithashtu, një doktor tjetër është telefonuar për t’u dorëzuar në polici dhe ndaj tij është marrë vendimi që të shkarkohet nga ushtruesi i detyrës së shefit të repartit në spital.

“Ju njoftojmë se policia e Kosovës e ka arrestuar në Spital, dr. A. L. dhe dr. E. S. Ndërsa dr. I. Z. është është thirrur në telefon dhe i është kërkuar dorëzimi në polici” – thuhet në njoftim.

“Në këtë rast, do të veprojmë në pajtim me legjislacionin në fuqi dhe me këtë rast dr. I. Z. shkarkohet nga pozita u.d shef i Repartit dhe suspendohet nga puna, po ashtu edhe dr. E. S. dhe dr. A. L. suspendohen nga puna deri në një vendim të ri” – thuhet tutje në njoftimin e spitalit “Sheikh Zayed”.

Së fundmi mediat raportuan për përfshirjen e tre mjekëve në një aferë të korrupsionit.

Ndërsa, për rastin reagoi edhe Ministria e Shëndetësisë. Dikasteri që drejtohet nga Arben Vitia premtoi se do të bashkëpunojë me organet e hetuesisë për të adresuar pretendimet e raportuara nga mediat.