Listës Serbe nuk i ka pëlqyer aksioni i Policisë së Kosovës, i cili ishte në koordinim me KFOR-in dhe EULEX-in, për bastisje në pesë lokacione në veri, pas ngjarjeve në Banjskë të Zveçanit.

Në reagimin e Listës Serbe thuhet se bastisjet ishin brutale dhe të paligjshme.

Po ashtu, ata e kanë kritikuar edhe EULEX-in, i cili, sipas tyre, vetëm i ka vëzhguar bastisjet nga larg.

“Duhet të theksohet se anëtarët e EULEX-it i kanë ndjekur të gjitha këto inkursione brutale nga një distancë prej dhjetëra metrash, absolutisht të painteresuar për të parandaluar keqtrajtimin e popullit serb apo për t’u përfshirë aktivisht dhe për të parandaluar veprimet ilegale të specialëve të Kurtit”- thuhet në reagim.

Lista Serbe e ka akuzuar edhe kryeministrin Albin Kurti, duke thënë se po “i shfrytëzon ngjarjet tragjike në Banjskë për të arsyetuar të gjitha aktivitetet antiserbe në Kosovë”.