Lista Serbe mirëpret marrëveshjen: Targat “KM” mbeten në përdorim, nuk lëshohen të reja

Lista Serbe e cila ditë më parë i tërhoqi duke dhënë dorëheqje deputetët e saj nga Kuvendi dhe kryetarët e komunave në veri të Kosovës ka mbështetur marrëveshjen për targat duke thënë se ato "KM" do të mbeten në qarkullim

Përfaqësuesit e Listës Serbe





Lista Serbe e ka mirëpritur marrëveshjen e arritur për targat, të mërkurën në Bruksel, teksa konfirmon se targat me akronimin “KM” do të mbetet në përdorim.

Me anë të një reagimi në Facebook, Lista Serbe ka theksuar se targat ekzistuese do të mbeten por të reja nuk do të lëshohen tani për tani.

“Lista Serbe mirëpret marrëveshjen e arritur në Bruksel, duke konfirmuar se targat KM mbeten në përdorim, se askush nuk do t’i heqë dhe do t’u shqiptohen gjoba qytetarëve tanë që posedojnë automjete me targa KM”, thuhet në njoftim.

“Duam të informojmë qytetarët se të gjithë pronarët e automjeteve me targa KM do të mund të funksionojnë normalisht dhe kur të skadojë regjistrimi i tyre ekzistues do të mund të zgjasin vlefshmërinë e regjistrimit të KM si më parë. Prandaj, të gjithë pronarët e automjeteve me targa KM do të mund të përdorin dhe zgjasin regjistrimin për automjetet me targa KM pa ndërprerje”, vijon njoftimi.

Në këtë reagim, Lista Serbe ka potencuar se qëndrimi i palës serbe ishte që të mbahen targat “KM”.

“Kujtojmë se qëndrimi ynë ka qenë që të mbajmë targa KM, të mos ua heqim pronën qytetarëve, të mos shkruajmë penalitete dhe as t’u pamundësojmë lirinë e lëvizjes. Kemi kërkuar që të mbesin targat KM, jo të rritet numri i tyre”, thuhet më tutje në reagim.

Çfarë i parapriu kësaj marrëveshjeje?

Takimi në Bruksel është zhvilluar vetëm dy ditë pas një takimi tetë orësh në Bruksel në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, lidhur me çështjen e targave i cili rezultoi pa marrëveshje.

E për këtë takim që rezultoi pa marrëveshje, Borrell e ka lënë fajtore palën e Kosovës.

Ndërkaq, Kurti ka thënë 23 nëntor se arsyeja kryesore pse ka shkuar në Bruksel dy ditë më parë ka pasur të bëjë me nisjen e diskutimit për marrëveshjen finale, bazuar në planin franko-gjerman, dhe jo diskutimi për targat.

Sipas tij, marrëveshja ligjërisht e obligueshme mes Kosovës dhe Serbisë, ka qenë pjesë e ftesës së BE-së, por që më pas “është braktisur dhe është kaluar vetëm te çështjet aktuale”.

Mirëpo, zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, ka thënë se është i pavërtetë çfarëdo pretendimi se Bashkimi Evropian është duke hequr dorë nga propozimi për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, i cili, sipas tij, mbështetet nga Gjermania, Franca dhe Shtetet e Bashkuara.

Më 22 nëntor, me kërkesë të Shteteve të Bashkuara, Kurti e ka shtyrë për 48 orë zbatimin e fazës së dytë të vendimit për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe në RKS – Republika e Kosovës, për t’u dhënë mundësi bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për riregjistrim të makinave me targa ilegale serbe në RKS – Republika e Kosovës, ka pasur tri faza.

Faza e parë e qortimit është zbatuar deri më 22 nëntor.

Faza e dytë parashihte gjobën prej 150 eurosh për shoferët e makinave me targa të tilla dhe më pas prezantimin e targave të përkohshme deri më 21 prill, datë pas së cilës ishte planifikuar që të mos kishte më makina me targa serbe.

Serbia – e cila lëshon targa të paligjshme për serbët e Kosovës që nga paslufta më 1999, e kundërshton këtë plan – duke insistuar në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.

Si pasojë e tensioneve të ngritura, serbët e veriut të Kosovës – ku qarkullojnë kryesisht makinat me targa të paligjshme – më 5 nëntor kanë dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës.





Shija e redaktorit

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Për tre muaj diaspora dërgoi mbi 284 milionë euro në...

Banka Qendrore të Kosovës (BQK) ka prezantuar të dhënat e fundit lidhur me dërgesat e mërgatës dhe të dhëna të tjera financiare për muajin...

Të fundit nga rubrika