Lista Serbe nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet lokale në veri të Kosovës

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, ka bërë të ditur se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale të 23 prillit në katër komuna në veri të Kosovës, pasi thanë se nuk janë përmbushur kërkesat që i kanë shtyrë ata të largohen nga institucionet e vendit.

“Kjo e bën më se të qartë se Prishtina dhe Komisioni i saj Qendror i Zgjedhjeve po përpiqen që në mënyrë të njëanshme të organizojnë zgjedhje në veri të Kosovës kundër vullnetit të qytetarëve, pa respektuar interesat legjitime të popullit serb”, thuhet në njoftimin e bërë nga kjo parti.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunat në veri të Kosovës po mbahen pasi kryetarët e komunave që ishin nga radhët e Listës Serbe dhanë dorëheqje në nëntor të vitit të kaluar, në kuadër të largimit kolektiv të punëtorëve të etnisë serbe nga institucionet e Kosovës, shkruan REL.

Ky veprim u ndërmor në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për të kryer procesin e riregjistrimit të targave serbe, në targa të Kosovës, vendim i cili më pas u pezullua me një marrëveshje me Serbinë në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

Megjithatë, një tjetër kërkesë e Listës Serbe për t’u kthyer institucioneve të Kosovës është edhe formimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, për të cilën është rënë dakord në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

Autoritetet e Kosovës deri tani e kanë refuzuar zbatimin e kësaj marrëveshjeje, duke e cilësuar të dëmshme dhe duke thënë se nuk mund të lejohet krijimi i bashkësive njëetnike.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, pas presionit të bashkësisë ndërkombëtare, vendosi kushtet në të cilat mund të formohet Asociacioni, disa prej të cilave kërkohet të jenë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë komunash fillimisht ishin caktuar për datën 18 dhjetor të vitit 2022, por u shtynë me kërkesë të bashkësisë ndërkombëtare.

Lista Serbe, e cila ka mbështetjen e Beogradit, edhe atëherë refuzoi të marrë pjesë në procesin zgjedhor.

Që nga viti 2013 kur u formua kjo parti ka marrë mbi 90 për qind të votave nga komuniteti serb në pothuajse të gjitha zgjedhjet e Kosovës.

Mirëpo, misioni vëzhgues i BE-së vazhdimisht ka konkluduar në raportet e tij pas zgjedhjeve se Lista Serbe “monopolizoi jetën politike në mesin e serbëve të Kosovës” dhe se ishin regjistruar raste të frikësimit, dhe se votuesit ishin nën presion nga kandidatët dhe aktivistët e kësaj partie.

Shija e redaktorit

Vetëm në muajin shkurt mërgata ka dërguar 87.9 milionë euro

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, sipas kalendarit të publikimeve, ka prezantuar statistikat për institucionet e tjera financiare për muajin shkurt 2024, të remitancave...

Ndahen 8 milionë euro për 11 komuna

Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal(MAPL), Elbert Krasniqi, ka njoftuar se janë ndarë 8 milionë euro në 11 Komuna. Ministri Krasniqi, bashkë me kryetarët e...

Kosova një hap më afër anëtarësimit në Këshill të Evropës

Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës ka miratuar raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, ku rekomandohet që shteti ka përmbushur...

Të fundit nga rubrika