Lista Serbe e ka cilësuar si antikushtetues vendimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për emërimin e Nenad Rashiqit si ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës.

Nga Lista Serbe thuhet se ky është “shembulli më i mirë i një veprimi autokratik, diktatorial, antikushtetues e ilegal”.

Tutje thuhet se “Konkretisht, me këtë emërim, Albin Kurti ka shkelur nenin 96, paragrafin 5 të Kushtetutës, ku thuhet se për emërimin e një ministri nga radhët e popullit serb, i cili nuk është deputet, duhet pëlqimi i shumicës së deputetëve serbë, të cilën Albin Kurti nuk e ka bërë, e as Rashiq nuk e ka mbështetjen e deputetëve tanë” raporton Kosovo-Online.

Tutje ata kanë thënë se “kundër lëvizjes diktatoriale të Albin Kurtit do të bëjnë ankesë në Gjykatën Kushtetuese, e cila do të duhet të konfirmojë pa vonesë se është shkelje e kushtetutës”.

Ndryshe, të enjten, Nenad Rashiq është emëruar ministër për komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës.

Kjo pas dorëheqjes së ish-ministrit Goran Rakiq. Kështu është bërë e ditur në një njoftim për media.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka emëruar sot, z. Nenad Rashiq, Ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Republikës së Kosovë”, thuhet në njoftim.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka uruar Rashiq për detyrën dhe përgjegjësitë e reja institucionale në Republikën e Kosovës.

Ndryshe, më 5 nëntor, Lista Serbe vendosi që t’i largojë të gjithë serbët nga institucionet qendrore dhe ato lokale.

Kreu i kësaj partie, Goran Rakiq, pasi shpalli dorëheqjen nga pozita e ministrit për Komunitete dhe Kthim, tha se largimi nga institucionet vjen pas vendimeve të fundit të Qeverisë së Kosovës.

“Ne kemi vendosur të largohemi nga të gjitha institucionet politike, Kuvendi, Qeveria, dhe nga katër komunat në veri të Kosovës, por edhe që të largohen serbët nga gjyqësori, policia si dhe stafi administrativ në katër komunat në veri”, ka thënë kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq.

Përveç Listës Serbe, dorëheqje kanë dhënë edhe zyrtarët policorë, punonjësit e gjykatave dhe institucioneve të tjera.