Në një njoftim zyrtar, Lista Serbe ka shpallur ditët 26, 27 dhe 28 shtator si “Ditë Zie” për vdekjen e tre terroristëve serbë të cilët u vranë në Banjskë pasi sulmuan Policinë e Kosovës.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, Lista Serbe e ka quajtur ngjarjen tragjike.
Sipas njoftimit të tyre, në shenjë respekti dhe ngushëllimi për serbët e vrarë dhe familjet e tyre, në veri të gjitha “ngjarjet argëtuese të organizuara nga organet dhe institucionet e vetëqeverisjes lokale do të anulohen”.
“Në emër të Listës Serbe dhe popullit serb nga Kosova.M, u shprehim ngushëllimet më të thella familjeve të viktimave, ndërsa të lënduarve u urojmë shërim të shpejtë”, ka thënë Lista Serbe.
Më 25 shtator, u vendos të shpallet ditë zie shtetërore në Kosovë, derisa i gjithë vendi u trondit nga një sulm terrorist.
Tragjedia vazhdoi me dhimbje të madhe pas vrasjes së Afrim Bunjakut, rreshter i Policisë së Kosovës, i cili ndërroi jetë pas sulmit të së dielës nga grupet kriminale në fshatin Banjskë në veri të vendit.
Në këtë sulm, edhe tre policë të tjerë u plagosën.
Sulmi terrorist ndaj policisë shpërtheu tensionet në pjesën veriore të Kosovës, e cila është kryesisht e banuar nga komuniteti serb.
Autoritetet e vendit thanë se sulmuesit, mbi 30 prej tyre, ishin vendosur në manastirin e fshatit Banjskë të komunës së Zveçanit dhe përreth tij.
Në orët e mbrëmjes të së dielës, ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se tre sulmues janë vrarë, ndërsa gjashtë persona, që dyshohet se ishin në kontakt me ta, janë arrestuar.