Një 31-vjeçar, i dënuar me 14 vjet burg për vjedhje të rënda dhe veprimtari të lidhura me narkotikë, rrëfen në emisionin “Prapa grilave” me Liridon Llozani se gjithçka nisi në moshën 13-14 vjeçare, kur la shkollën dhe u përball për herë të parë me marihuanën.

Prej aty nisi rrënimi personal dhe kriminal që do ta dërgonte pas grilave për më shumë se një dekadë.

“Nuk ka pasur kush me më kqyr se çka po bëj, e kam pasur një liri të plotë pa më përcjellë askush,” thotë ai, duke kujtuar se e piu cigaren e parë të hashashit në një park, bashkë me një shoqe të vëllait.

Nga ajo ditë, thotë se nuk është ndalur, duke shkuar deri në pesë ose gjashtë cigare në ditë.

Sipas rrëfimit të tij, varësia e shpejtë ndaj drogës solli pasoja serioze.

“Një fillestar mendon që e pi barin edhe e lë. Nuk mundesh me lënë. Nëse pi rregullisht, ke me pasë pasojë mendore… Të dridhen duart, nuk ke me mujt me kanë qysh je kanë përpara.”

Në moshën madhore kaloi nga marihuana në kokainë, duke e konsumuar deri në dy gram në natë. Pasi nuk kishte punë, paratë për drogë i siguronte me vjedhje nëpër shtëpi.

Ai thotë se për dy vite ka kryer mbi 140 raste të vjedhjeve.

“Për një natë kemi marrë mbi një mijë euro. Me punu nuk ma ka dashtë. Ment i kam pasur krejt tjetër ku”, rrëfen ai.

Ndonëse i pamartuar, thotë se familja, e vetëdijshme për situatën e tij, ishte dorëzuar.

Në një moment, ai pohon: “Kur ta llogaritish e kam mbajtë gjithë këtë burg për kurgjo hiq, për një budallaki. Se t’i kisha pasë atëherë mend e sodit ish kanë krejt ndryshe”, shprehet ai.

Përveç konsumit, ai u përfshi edhe në transport dhe shitje të drogës.

Ai rrëfen se ka bartur dërgesa me sasi të vogla kokainë e marihuanë për persona të tretë, si dhe ka sjellë rreth 10 kilogramë bar nga Shqipëria përmes Bjeshkëve.

“Nëse e kam shit, fitimi ka qenë 50%. Deri në 10 mijë euro” thotë ai, duke përshkruar mekanizmin e kontrabandës me kuaj.

Nga përvoja e tij në burg, thotë se është vetëdijësuar dhe distancuar nga shoqëria e mëparshme.

“Përveç burgut, më mirë shkoj punoj për 5 euro vetëm të mos marr më drogë. E dyta, pare e shpejtë jeta e shkurtër”, shprehet ai.

Jetesa në burg për të nuk është aspak ashtu siç e imagjinonte në filma.

Ai përshkruan kushte të vështira.

“Jeta brenda është shumë katastrofë. Mjekësia shumë e dobët, tona senet janë. Nëse vjen hera e parë, qind për qind e ke herën e dytë. Po e pive ujin e Dubravës, ke me ardhë apet”, shprehet ai.

Ai përfundon se droga ia ka shkatërruar emocionalisht familjen dhe jetën.

Ndërsa ai i vuan pasojat shëndetësore, përfshirë dridhje të duarve, humbje përqendrimi dhe infeksione të përsëritura, i mbetet shpresa se pas përfundimit të dënimit, do të jetë në gjendje të fillojë një jetë të ndershme dhe të qëndrueshme larg varësisë.