Një emër i ri po ngjitet me shpejtësi në skenën e futbollit zviceran dhe europian. Bëhet fjalë për Lorian Hajdini, i cili aktualisht është pjesë e akademisë së FC Zürich, ku aktivizohet me grupmoshat U16 dhe pritet së shpejti të kalojë në U17.
14 vjeçari luan si mesfushor ofensiv në klub, duke treguar inteligjencë të lartë loje, kreativitet dhe aftësi të shkëlqyera teknike. Ndërkohë, me kombëtaren e Zvicrës për grupmoshat U15 dhe U16, ai aktivizohet si sulmues i krahut të majtë, ku spikat me shpejtësinë dhe depërtimet e rrezikshme.
Talenti i tij nuk ka kaluar pa u vënë re. Lorian Hajdini konsiderohet si një nga premtimet më të mëdha në Zvicër dhe më gjerë në Europë. Interesimi për të tashmë ka ardhur nga klube të mëdha si Bayern München dhe TSG 1899 Hoffenheim, që po ndjekin nga afër zhvillimin e tij.
Rrugëtimi i tij në futboll ka nisur herët, që në moshën të vogël ku luajti për U10 me Grasshopper Club Zürich, një nga akademitë më të njohura në Zvicër. Para dy vitesh, ai u transferua te FC Zürich, ku performancat e tij kanë qenë mbresëlënëse, duke u shpallur shpesh “lojtari i ndeshjes”.
Në nivel ndërkombëtar, Hajdini ka qenë pjesë e përfaqësueseve të Zvicrës që nga grupmoshat U13, duke ndërtuar gradualisht një profil të fortë si lojtar i së ardhmes.
Përtej fushës së lojës, Loriani mbetet i lidhur fort emocionalisht me prejardhjen e tij. Ai shpreh dashuri të madhe për Kosovën dhe Shqipërinë, duke ndjekur me pasion çdo ndeshje të kombëtareve shqiptare.
Me ritmin që po zhvillohet, Lorian Hajdini duket i destinuar për një karrierë të madhe në futbollin evropian. Sytë tashmë janë të kthyer drejt tij.
