Lufta e ashpër në lindje, ShBA-ja fillon trajnimin e trupave ukrainase

FOTO: Reuters

Ushtria ukrainase, më 16 janar, ka bërë të ditur se forcat ukrainase kanë zmbrapsur sulmet e reja ruse në lindje, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës njoftuan për fillimin e një programi të zgjeruar të trajnimit luftarak për forcat ukrainase në Gjermani.

Ndërkohë, numri i të vdekurve nga një sulm me raketa ruse në qytetin qendror të Ukrainës, Dnipro, ka arritur në 36, ka thënë policia e Ukrainës, ndërsa Kremlini mohoi se forcat ruse qëndrojnë pas sulmit.

Sulmi në Dnipro ishte pjesë e një vale të përhapur të sulmeve ruse me raketa që përfshinte qytetet më të mëdha të Ukrainës, Kievin dhe Harkivin.

“Deri në ora 10:30 të mëngjesit të sotëm, kanë vdekur 36 persona, mes tyre 2 fëmijë. Ndërsa, numri i të lënduarve ka arritur në 75, në mesin e tyre janë 15 fëmijë”, ka thënë Policia në Telegram, duke shtuar se janë shpëtuar 39 persona, në mesin e të cilëve edhe gjashtë fëmijë, shkruan REL.

Kremlini, më 16 janar, mohoi se forcat ruse kishin goditur kompleksin e apartamenteve në Dnipro.

“Forcat e Armatosura Ruse nuk godasin ndërtesat e banimit apo objektet e infrastrukturës sociale. Sulmet kryhen ndaj objektivave ushtarake, qofshin të dukshme ose të maskuara”, u tha gazetarëve gjatë një telefonate, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Forcat ruse shënjestruan pozicionet ukrainase dhe vendbanimet civile në Luhansk dhe Donjeck, ka thënë Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës, në raportin e tij të përditshëm më 16 janar, ndërsa vazhdon pasiguria se cila anë kontrollon Soledarin – i cili është granatuar nga forcat ruse.

Ushtria ruse tha se ka marrë nën kontroll Soledarin, një pretendim i mohuar nga Kievi, i cili tha se luftimet e ashpra po vazhdojnë brenda dhe rreth qytetit strategjik të minierave të kripës në Donjeck.

Një fitore ruse në Soledar do t’i lejonte forcat e Moskës t’i afroheshin qytetit më të madh, Bahmutit në jug, ku betejat e ashpra janë ndezur për muaj të tërë.

Ministria britanike e Mbrojtjes ka thënë se që nga 15 janari, forcat ukrainase i kanë ruajtur pozicionet në Soledar, ku gjatë fundjavës vazhduan luftimet intensive.

Ushtria ukrainase tha se forcat ruse, gjithashtu, vazhduan të godasin energjinë dhe infrastrukturën civile në rajonet Zaporizhija, Dnipropetrovsk dhe Herson.

Gjenerali amerikan, Mark Milley, drejtor i Shefave të Përbashkët të Shtabit, tha se më 15 janar në Gjermani, filloi një program i zgjeruar dhe më kompleks i trajnimit luftarak i forcave ukrainase.

Milley ka thënë se programi, i cili përqendrohet në luftime në shkallë të gjerë, synon të kthejë një batalion prej rreth 500 trupash ukrainase, në fushën e betejës për të luftuar rusët në pesë ose gjashtë javët e ardhshme.

Gjithashtu më 16 janar, Bjellorusia ka thënë se së bashku me Rusinë filluan stërvitjet e përbashkëta të forcave ajrore.

Bjellorusia ka njoftuar se stërvitjet janë mbrojtëse, por njoftimi u bë pas shqetësimeve në rritje se Moska po e shtyn Minskun t’i bashkohet luftës në Ukrainë.

Shija e redaktorit

Voton Bujar Osmani, kandidat për president i Maqedonisë Veriore

Kandidati për president i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka votuar. Në një deklaratë para medieve, Osmani inkurajoi qytetarët të dalin në numër sa më...

Presidentja Osmani nderohet me Çmimin e Evropës nga Fondacioni Pan-Europian

Fondacioni Fondacioni Pan-Evropian Richard Coudenhove-Kalergi i ka ndarë Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, çmimin e ‘Evropës’, për përkushtimin e saj ndaj raporteve me partnerët...

Nis ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë...

Ka filluar ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës. Sot diplomojnë 445 kadetë të Policisë së Kosovës. Kryeministri i Republikës së Kosovës,...

Të fundit nga rubrika