Lufta në Ukrainë: Zelensky dëshiron të takohet me liderin kinez, Xi Jinping pas planit të paqes të Kinës

Lufta në Ukrainë tashmë ka shënuar përvjetorin e parë të saj. Duke folur me rastin e kësaj date, presidenti ukrainas Zelenskyy tha se propozimi sinjalizonte se Kina ishte e përfshirë në kërkimin e paqes. Si rrjedhojë, ai ka thënë se do që të takohet me liderin kinez

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka thënë se ka në plan të takojë liderin e Kinës, Xi Jinping për të diskutuar propozimet e Pekinit për përfundimin e luftës në Ukrainë.

Duke folur në përvjetorin e parë të pushtimit të plotë të Rusisë, ai tha se propozimi sinjalizonte se Kina ishte e përfshirë në kërkimin e paqes.

“Unë me të vërtetë dua të besoj se Kina nuk do të furnizojë me armë Rusinë,” tha ai.

Plani i Kinës kërkon bisedime paqeje dhe respekt për sovranitetin kombëtar.

Megjithatë, dokumenti prej 12 pikash nuk thotë në mënyrë specifike se Rusia duhet të tërheqë trupat e saj nga Ukraina dhe dënon gjithashtu përdorimin e “sanksioneve të njëanshme”, në atë që shihet si një kritikë e mbuluar ndaj aleatëve të Ukrainës në Perëndim.

Autoritetet kineze deri më tani nuk i janë përgjigjur publikisht thirrjes së Zelensky-t për një samit me Xi.

Kina po ofron një propozim prej 12 pikash për t’u dhënë fund luftimeve. Propozimi vjen pas njoftimit të fundit të Kinës se ajo po përpiqet të veprojë si ndërmjetëse në luftën që ka rigjallëruar aleancat perëndimore të konsideruara rivale nga Pekini dhe Moska.

Ndërkohë, Rusia përshëndeti propozimet e Kinës, transmeton BBC.

“Ne ndajmë pikëpamjet e Pekinit”, tha në një deklaratë Ministria e Jashtme në Moskë.

Në fillim të kësaj jave, sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha se Pekini po shqyrtonte furnizimin me armë dhe municione për Rusinë, pretendim ky i mohuar fuqishëm nga Pekini. Të premten, mediat amerikane raportuan përsëri se qeveria kineze po shqyrtonte dërgimin e dronëve dhe predhave artilerie në Moskë.

I pyetur në lidhje me planin kinez, presidenti i SHBA-së, Joe Biden tha për ABC News të premten: “Putin po e duartrokit atë, kështu që si mund të jetë mirë? Unë nuk kam parë asgjë në plan që do të tregonte se ka diçka që do të ishte e dobishme për këdo tjetër përveç Rusisë”.

Kina duket se është në anën e Rusisë, megjithëse do të donte të gjente një mënyrë për të shpëtuar presidentin Putin duke aranzhuar një lloj marrëveshjeje paqeje për të shpëtuar fytyrën, thotë redaktori i BBC-së për Çështjet Botërore, John Simpson.

Propozimet kineze pasojnë një vizitë të kryediplomatit të vendit Wang Yi në Moskë, ku ai u takua me presidentin Putin dhe ministrin e Jashtëm, Sergei Lavrov të mërkurën.

Pas bisedimeve, Wang u citua nga agjencia shtetërore e lajmeve kineze Xinhua të ketë thënë se Pekini ishte i gatshëm të “thellonte besimin politik” dhe “të forconte koordinimin strategjik” me Moskën.

Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se Pekini “nuk ka shumë besueshmëri” sepse “nuk ka qenë në gjendje të dënojë pushtimin e paligjshëm të Ukrainës”.

Presidenti Putin filloi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës më 24 shkurt të vitit 2022 dhe trupat ruse bënë përparime të rëndësishme gjatë ditëve të para në veri, lindje dhe jug të Ukrainës.

Por sulmi në kryeqytetin Kiev u zmbraps shpejt dhe ushtria ukrainase më vonë ishte në gjendje të rimarrë zona të mëdha.

 

Konflikti më i madhi në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore që atëherë është shndërruar në një luftë rrënuese.

Në një konferencë të gjatë për shtyp në Kiev të premten, Zelensky tha gjithashtu se fitorja “do të na presë në mënyrë të pashmangshme” nëse aleatët “respektojnë premtimet dhe afatet e tyre”.

Polonia tha se kishte dorëzuar tashmë katër tanke Leopard II të prodhimit gjerman në Ukrainë dhe ishte gati të dorëzonte më shumë. Gjermania ka thënë se do të sigurojë 14 tanke Leopard, ndërsa Spanja dhe Kanadaja gjithashtu do të dërgojnë tanke.

Deri tani, SHBA ka qenë ofruesi më i madh i ndihmës ushtarake për Ukrainën, është zotuar të dërgojë 31 nga tanket e saj “M1 Abrams” dhe Britania e Madhe po siguron 14 tanke “Challenger 2”.

Udhëheqësi ukrainas shtoi se vendi i tij kishte dështuar të angazhohej mjaftueshëm me vendet në Afrikë dhe Amerikën Latine pasi shumë kombe në ato kontinente abstenuan gjatë një votimi në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së mbi një rezolutë që dënon pushtimin e Rusisë.

“Ne nuk kemi punuar mirë për shumë vite, nuk kemi pasur vëmendje, mendoj se është një gabim i madh”, tha ai.

I pyetur nëse mund të përmendte momentin e tij më të keq të luftës deri më tani, Zelensky tha Bucha, një qytet jashtë Kievit ku trupat ruse akuzohen se kanë vrarë civilë në pjesën e hershme të luftës. Qyteti i vogël kishte qenë nën kontrollin rus derisa trupat ukrainase luftuan prillin e kaluar për ta rimarrë atë.

“Ajo që pashë. Ishte e tmerrshme,” tha Zelensky, dukshëm i prekur.

Raundi i ri i ndihmës së Shtëpisë së Bardhë për Ukrainën kap vlerën e 12 miliardë dollarëve (10 miliardë paund), që përfshin 2 miliardë dollarë nga Departamenti i Mbrojtjes, përfshirë municionet dhe dronët dhe 10 miliardë dollarë nga Departamenti i Shtetit, duke përfshirë mbështetjen buxhetore për qeverinë ukrainase.

Një tjetër 550 milion dollarë do t’i jepet Ukrainës dhe Moldavisë fqinje për të forcuar infrastrukturën e tyre energjetike.

Moldavia është vendi më i varfër i Evropës dhe është ndikuar shumë nga lufta. Udhëheqësit e saj kanë paralajmëruar për disa javë se Rusia po planifikon të marrë pushtetin.

Kjo vjen disa ditë pasi presidenti amerikan Joe Biden fluturoi në Kiev për një vizitë të papritur dhe zhvilloi bisedime me Zelenskyyn.

Të premten, BE miratoi gjithashtu raundin e saj të 10-të të sanksioneve kundër Rusisë, duke vendosur kufizime mbi teknologjinë që ka përdorim të dyfishtë civil dhe ushtarak.

Shija e redaktorit

Raporti për lirinë e medias vlerësohet alarm për shoqërinë dhe...

Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit vendi ynë shënoi rënie për 19 vende në indeksin e lirisë së medieve nga “Reporterët Pa Kufij”....

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Të fundit nga rubrika