Përse protesta studentore dhe qytetare e së shtunës, në Ditën e Vidovdanit, nuk është e njëjtë me atë protestën madhështore dhe më të madhen në historinë e Serbisë, e cila u mbajt më 15 mars në Beograd dhe që regjimi diktatorial i Aleksandër Vuçiqit e shpërndau me armë zanore? Sepse, para së gjithash, nuk u quajt protestë e Vidovdanit dhe nuk ra në grackën e nacionalizmit.

Është ndryshuar narrativi, dhe ju studentë të dashur keni devijuar nga kursi, i cili kishte fituar simpati të përgjithshme dhe përkrahje nga një audiencë më e gjerë.

Marshimi juaj për paqe, liri dhe drejtësi – nëpër gjithë Serbinë dhe Evropën, deri në Bruksel e Strasburg – mori ovacione dhe duartrokitje të hapura. Ju u shpallët si avangarda e shpirtit të ri evropian.

Simbol i rezistencës kundër diktaturës dhe fashizimit të shoqërisë. Në këtë luftë të përgjithshme kundër terrorit shtetëror, krimit, korrupsionit dhe të fortit më të madh të Ballkanit, juve ju janë bashkuar qytetarët dhe nuk keni qenë vetëm. Mirëpo, më 28 qershor keni bërë një gabim, për shkak të retorikës dhe toneve thuajse identike me ato që përdorte Slobodan Millosheviqi dhe trashëgimtari i tij politik, sipas idesë dhe thelbit, Aleksandër Vuçiq. Pse e ndryshuat narrativin? Nuk kishte nevojë të binte hije mbi qëllimet tuaja të pastra politike, për t’i lënë dikujt tjetër të përfitojë nga kjo.

Përse thirrjet për “kthimin e Kosovës dhe Metohisë”, akuzat se “Perëndimi po e drejton Serbinë”, lavdërimet ndaj “botës serbe” malinje dhe shprehjet e kujdesit për serbët që jetojnë në Kosovë, Bosnje dhe Kroaci? Keni rënë në zjarrin nacionalist, fëmijë të dashur. Ajo që është me rëndësi, studentë të dashur, është që në një mënyrë të distancoheni dhe të dënonit ato fjalime, sepse ato nuk dhanë mesazh paqeje dhe solidariteti. Sepse, zgjedhja e folësve, krijon përshtypjen se ka sjellë një kthesë nacionaliste në lëvizjen tuaj studentore, akademike, qytetare dhe demokratike. Duhet të distancoheni nga kjo, edhe për faktin se ju mbështet një numër i madh njerëzish në mbarë rajonin.

Nuk është dashur, pra, të lejoni që Vidovdani të interpretohet në çelësin e Justin Popoviqit dhe peshkopit Nikolaj Velimiroviq, ashtu siç tha edhe Marko Milosavljević nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut. Është e rëndësishme të thuhet se regjimi aktual në Beograd nuk mund të mposhtet politikisht nëse vazhdon të mbështetet në autoritarizëm, por edhe në trashëgiminë e Slobodan Millosheviqit – që janë krimet e luftës. Natyrisht, e gjithë kjo ndodh për shkak të padijes së madhe lidhur me krimet e luftës tek të rinjtë. Në shumicë, qëndrimi ndaj punës së Tribunalit të Hagës është negativ, po ashtu edhe ndaj gjenocidit në Srebrenicë dhe krimeve të kryera në Kosovë – për të cilat shumë të rinj, më shumë se gjysma, në fakt as që e dinë, nuk kanë asnjë informacion për to – tha Milosavljeviq.

Ajo që ka shkaktuar këtë lloj qëndrimi, shton ai, është para së gjithash pushteti, i cili në 10 vitet e fundit ka edukuar një rini të tillë. Në një farë mënyre është monopolizuar ndjenja patriotike e Vidovdanit. Fatkeqësisht, kështu edhe një pjesë e studentëve ka rënë në një gjendje anomie – që është një term për një shoqëri të degraduar.

Pikërisht për këtë, dhe për shkak të dëshirës së Aleksandër Vuçiqit që përmes sundimit brutal të bëhet një figurë historike, ndërkohë që shkatërron fatet njerëzore, vjedh Serbinë dhe rrënon themelet e moralit – studentët dhe qytetarët nuk duhet të dorëzohen, pavarësisht dhunës brutale që regjimi po ushtron pa pushim mbi të rinjtë që nga e shtuna, pas përfundimit të protestës. Tortura e pushtetit pra vazhdon, përmes arrestimeve dhe represionit ndaj rebelëve që ende po bllokojnë arteriet kryesore të trafikut dhe urat në të gjitha qytetet kryesore të Serbisë.

Dhe kjo valë studentore nuk do të ndalet, derisa të bjerë tirani. Por studentët nuk mund ta arrijnë vetë këtë qëllim. SEPSE rrëzimi i Vuçiqit është vetëm një qëllim i ndërmjetëm. Qëllimi kryesor është edhe më i madh, edhe më i vështirë. DHE AI ËSHTË: Një shoqëri në të cilën asnjë Vuçiq tjetër nuk do të jetë më i mundur.