Presioni diplomatik për t’i dhënë fund luftimeve në Sudan, luftime të cilat kanë lënë më shumë se 300 të vdekur javën e fundit, po rritet.

Ushtria e rregullt ka luftuar kundër një force paraushtarake të quajtur “Forcat e Mbështetjes së Shpejtë” (RSF).

OKB, SHBA dhe vende të tjera kanë bërë presion për një armëpushim treditor për të shënuar festën myslimane të Fitër Bajramit.

RSF-ja thotë se ka rënë dakord për një armëpushim 72-orësh për arsye humanitare. Lidhur me këtë, nuk kishte asnjë koment të menjëhershëm nga ushtria.

Armëpushimi do të jetë në fuqi nga ora 06:00 të premten për të përkuar paralelisht me festivalin, tha RSF, transmeton BBC.

Mirëpo, dy tentativa të mëparshme të armëpushimit nuk arritën të hynin në fuqi.

Kreu i ushtrisë, gjenerali Abdel Fattah al-Burhan, hodhi poshtë më herët mundësinë e negociatave me RSF.

Shpresa e fundit për një armëpushim të përkohshëm erdhi pasi sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, bëri thirrje për një armëpushim për t’i lejuar civilët të festojnë të sigurt.

OKB bën thirrje për armëpushim treditor në Sudan për festën e Bajramit

Armëpushimi i Bajramit “duhet të jetë hapi i parë në sigurimin e pushimit nga luftimet dhe hapjen e rrugës për një armëpushim të përhershëm”, tha Guterres. “Ky armëpushim është absolutisht vendimtar në këtë moment”.

Bajrami është festa myslimane që shënon fundin e agjërimit të Ramazanit.

OKB-ja ka paralajmëruar se midis 10,000 dhe 20,000 njerëz – kryesisht gra dhe fëmijë – janë larguar nga Sudani mes luftimeve të ashpra atje, për të kërkuar siguri në Çadin fqinj.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, gjithashtu, u bëri thirrje udhëheqësve ushtarakë ndërluftues veçmas që të bashkohen me një armëpushim të paktën deri të dielën.

Sudani është vendi i tretë më i madh i Afrikës. Ajo që ndodh atje ka rëndësi për fqinjët e saj dhe për botën më gjerë.

Historiku i luftimeve

Prej puçit të tetorit të vitit 2021, Sudani është udhëhequr nga këshilli i gjeneralëve.

Në qendër të problemit janë dy burra ushtarakë.

Gjenerali Abdel Fattah al-Burhan, i cili është udhëheqës i forcave të armatosura, dhe faktikisht është edhe president i shtetit.

Si dhe zëvendësi i tij dhe lideri i forcës paramilitare RSF, gjenerali Mohamed Hamdan Dagalo, i njohur edhe si Hemedti.

Ata nuk janë pajtuar për drejtimin që e ka marrë shteti dhe kanë propozuar udhëheqësi civile.

Por, një prej pikave bllokuese lidhet me planin për të përfshirë 100.000 pjesëtarët e forcës paramilitare në ushtri dhe se kush do të jetë më pas në krye të saj.