Lugina lobon në ShBA që shqiptarët e Serbisë të kenë më shumë të drejta
Faza e re në të cilën kanë hyrë raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë i kanë mobilizuar përfaqësuesit e shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Ata po qëndrojnë në Shtetet e Bashkuara, ku kanë informuar senatin amerikan për pozitën e vështirë të shqiptarëve në Serbi dhe diskriminimin e tyre. Përveç kryetarit të Këshillit Nacional Shqiptar, Ragmi Mustafit […]
Faza e re në të cilën kanë hyrë raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë i kanë mobilizuar përfaqësuesit e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Ata po qëndrojnë në Shtetet e Bashkuara, ku kanë informuar senatin amerikan për pozitën e vështirë të shqiptarëve në Serbi dhe diskriminimin e tyre.
Përveç kryetarit të Këshillit Nacional Shqiptar, Ragmi Mustafit dhe deputetit Shaip Kamberi atje është edhe Ardita Sinani, këshilltare politike e kryeministrit Albin Kurti.
Sinani e quan historike mundësinë që mundësinë që në një institucion kaq të lartë amerikan të kërkohet që çështja e shqiptarëve të bëhet pjesë e agjendës së politikës së jashtme të SHBA-së.
“Të drejtat e komuniteteve duhet të jenë reciproke dhe nëse një e drejtë e caktuar është legjitime për serbët në Kosovë, nuk ka asnjë dëm, por është e drejtë që t’u jepen të drejtat të tilla shqiptarëve në Serbi, në Luginë të Preshevës apo kudo qoftë që jetojnë ata në Serbi dhe nuk duhet të ketë asnjë pengesë politike, as ligjore. Pse mos të realizohet një e drejtë e pakicës shqiptare?”, ka deklaruar Sinani, këshilltarja politike e kryeministrit Kurti.
Kosova dhe Serbia janë marrë vesh për të zbatuar planin franko-gjerman, por në të nuk përmenden specifikisht të drejtat e shqiptarëve të Luginës.
Megjithatë, delegacioni shqiptar edhe në Amerikë ka paraqitur kërkesën e kamotshme, përfshirjen në dialogun e Brukselit.
“Njohja e diplomave është një shembull i dukshëm që mund të zgjidhet nga propozimi franko-gjerman dhe zgjidhja e kësaj çështjeje do të përkthej gjithashtu edhe përfitime të mëdha ekonomike, zhvillimore për Luginën, ndërsa ne presim që boshllëku i të drejtave të munguara aktualisht i shqiptarëve në Luginën e Preshevës do të duhet të trajtohet në pas të parimit të reciprocitetit ndaj komunitetit serb në Kosovë”, ka thënë tutje ajo.
Mirëpo, gjasat për pjesëmarrjen e Luginës në dialog i vlerëson minimale, Avni Klinaku nga Lëvizja për Bashkim, e cila me vite merret me të drejtat e shqiptarëve atje.
“Ashtu siç po zhvillohen ngjarjet në dialogun Kosovë-Serbi, gjasat janë shumë të vogla, mos të themi hiç nuk kanë gjasa të përfshihen në dialog shqiptarët e Preshevës, Bujanocit, Medvegjës, respektivisht Kosovës Lindore. Kosova, në veçanti liderët institucional të Kosovës, vazhdimisht me vite kanë bërë një padrejtësi shumë të madhe ndaj atyre njerëzve”, ka deklaruar Klinaku.
Përderisa Kosova po përballet me presioni për themelim të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, një ide e tillë nga liderët politikë të luginës, ishte përmendur qysh në vitin 2015, kur ishte arritur marrëveshja e dytë për Asociacionin mes Kosovës e Serbisë.















