Kryetarja e Forumit të Gruas së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushtaku, ka reaguar ndaj Qeverisë Kurti 2, duke ia numëruar premtimet që sipas Lushtakut vetëm janë premtuar por nuk janë realizuar.

Profesoresha Universitare e ka ngritur dilemën se “a është ky ndryshimi për të cilin kanë pasur nevojë qytetarët?”.

Më tutje, Lushaku i ka numëruar dështimet e qeverisë në fushën e arsimit ku sipas saj s’ka progres por vetëm huliganizëm në shkolla.

“Premtuan 160 çerdhe, asnjë nuk u ndërtua. Miliona orë të humbura mësimore nuk janë zëvendësuar, asnjë progres në tekstet mësimore parauniversitare, asnjë progres në riorganizimin e shkollave, vazhdojmë të kemi mbingarkesa në klasat me nxënës, asnjë masë sigurie për huliganizëm në shkolla”, ka thënë ajo në një video të publikuar në rrjetin e saj social Facebook.

“Digjitalizimi i shkollave është harruar, nuk ka mbështetje për mësimdhënësit për ngritje kapacitetesh e inovacion në klasë, s’ka ndërlidhje të shkollave profesionale me bizneset, s’ka tekste mësimore e praktika profesionale në shkolla, mungesë totale vizioni e vullneti politik për reformë substanciale në arsimin e lartë”, ka shtuar.

Ndërsa ajo e ka akuzuar qeverinë se ka bërë akreditim drejtimeve për të cilat Kosova nuk ka nevojë.

“S’ka hulumtime dhe as fond shkence, s’ka ngritje fondesh ndërkombëtare, dhe a e dini çka, ka akreditim të programeve për të cilat Kosova nuk ka nevojë dhe ka zvogëlim të pagave dhe asnjë mbështetje për stafin universitar dhe një gjë është e qartë, kjo qeveri arsimin prioritet nuk e ka”, ka përfunduar Lushaku.