Kandidatja për deputete nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu, ka deklaruar se partia ku bënë pjesë ka qenë konstruktive dhe unike në proceset e dialogut politik dhe në formimin e institucioneve.
Megjithatë, Lushaku-Sadriu në “Debat Plus” në Dukagjin, u shpreh se kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, s’ka qenë i sigurt për votimit e deputetëve të tij lidhur me çështjen e Presidentit.
“Ne jemi gëzu që po shkojmë në dialog, se po kontribuojmë në demokraci se kështu e do rendi – ne shkojshim në negociata e Kurti dilke e thojke se si kanë votat. Ne kemi shkuar në takim sepse ideja jonë ka qenë me i kontribu procesit së dialogimit dhe formimit të institucioneve. Vetë Kurti s’ka qenë i sigurt për deputetët e vetë dhe në taborrin e Vetëvendosjes ka pasur shumë më shumë përçarje për emrat dhe s’kanë qenë unik sesa LDK-ja. Ne kemi qenë krejt unik për punën e presidentit i kemi vënë edhe nënshkrimet si fakte për kandidatin që LDK-ja e kandidon dhe kjo ka qenë e padiskutueshme”, u shpreh Lushaku-Sadriu.
Lushaku-Sadriu, mes tjerash, u shpreh se Vetëvendosje se ka pasur qëllim shkuarjen në zgjedhje që nga fillimi i seancave parlamentare.
“Qëllimi i VV-së prej fillimi të seancave të Kuvendit ka qenë me shku në zgjedhje për aq kohë sa edhe vetë e kam parë dinamikën e procedimit të ligjeve – për herë të parë prej VV-së e kam dëgjuar aludimin se mund të shkojmë në zgjedhje. Absolutisht plani për me shku në zgjedhje është i VV-së dhe duke pasur at qëllim i kanë sjell dhjetëra ligje pa procedurë të rregullt duke anashkaluar shumë hapa para tyre. Shumica e deputetëve të Vetëvendosjes i kanë votuar ligjet pa i lexuar fare”, u shpreh ajo.
