Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës [PDK], Mergim Lushtaku ka kritikuar ashpër mazhorancën parlamentare për, siç u shpreh ai, qasjen kokëfortë dhe mungesën e reflektimit ndaj veprimeve që bien ndesh me Kushtetutën dhe ligjet e vendit.

“Nuk ka reflektim për ndryshimin e veprimeve anti-kushtetuese dhe anti-ligjore. Si opozitë, ne e kemi dërguar çështjen në Gjykatën Kushtetuese. Është evidente se po neglizhohet procesi i konstituimit të Kuvendit dhe ndërkohë po thellohen problemet e qytetarëve. Kjo është për keqardhje, pasi nuk po shihet asnjë gatishmëri për reflektim nga ana e shumicës parlamentare,” deklaroi Lushtaku.

Ai theksoi se, pavarësisht bllokadës politike, pagat për deputetët dhe për qeverinë po vazhdojnë të shpërndahen rregullisht, ndërsa luksit, sipas tij, i jepet përparësi më shumë sesa nevojave reale të qytetarëve.

“Rrogat po i ecin edhe deputetëve edhe qeverisë. Por edhe luksi po vazhdon më shumë se çdo gjë tjetër. Ne kemi përgjegjësi partiake, por obligimi ynë më i madh është ndaj qytetarëve tanë. Ai që ka marrë besimin më të madh, duhet të reflektojë i pari — qoftë subjekt politik apo deputet. Kur reflektojnë ata, besoj se edhe ne do të reflektojmë,” tha ai.

Lushtaku akuzoi gjithashtu Lëvizjen Vetëvendosje për zvarritje të qëllimshme të procesit:
“VV-ja e ka si ide zhagitjen e këtij procesi deri pas zgjedhjeve lokale,” përfundoi ai.