Veprimtari politik dhe ish-i burgosur politik, Berat Luzha, ka rrëfyer për vitet e kaluara në burgjet jugosllave dhe ndryshimet që kishte gjetur në Kosovë pas lirimit.
Luzha tregoi se ishte dënuar me 12 vjet burg, ndërsa kishte qëndruar në burg për nëntë vjet.
“Kam qëndruar plot 9 vjet, i dënuar kam qenë me 12 vjet”, tha Luzha në ciklin “Dosjet” për “Debat Plus”.
Ai tha se pas lirimit, Kosova kishte ndryshuar dukshëm, duke theksuar se njerëzit tashmë flisnin më hapur dhe kishte një optimizëm të madh për realizimin e kërkesës për Republikë.
“Ishte një ndryshim i madh, për shkak se njerëzit ishin çliruar nga vetë censura, flisnin hapur, shkonin te njëri-tjetri pa probleme. Kishte një optimizëm shumë të madh se po realizohet kërkesa jonë ‘Për Republikë’”, u shpreh Luzha.
Ai tha se gjendja që kishte gjetur pas daljes nga burgu ishte diçka që, sipas tij, nuk do ta kishte imagjinuar gjatë viteve të burgimit.
“Ne sa ishim në burg nuk do të kishim mundur ta paramendonim se si kishte ndryshuar gjendja përnjëherë”, tha ai.