Lëvizja Vetëvendosje ka shkruar se kanë kaluar 5 muaj që prej sulmit terrorist ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator në Banjskë, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku.

LVV-ja nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook e ka vënë në shënjestër Prokurorinë Speciale, për të cilin thotë se s’ka ngritur asnjë aktakuzë për këtë rast.

“Me 24 shkurt u bënë 5 muaj nga sulmi terrorist i organizuar nga Serbia me qëllim aneksimin e veriut. Deri tash janë shpalosur qindra prova dhe zbuluar pothuajse të gjithë pjesëmarrësit në atë sulm”.

“Por, edhe pas gjithë këtyre muajve dhe provave ende nuk ka asnjë aktakuzë nga Prokuroria Speciale e Kosovës për këtë rast”, thuhet në postim.

Partia e kryeministrit Albin Kurti e ka akuzuar disa herë Prokurorinë Speciale se nuk po punon, përkundër provave që pushtetarët thonë se ia kanë dhënë asaj.