Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), janë shprehur të bindur se kanë numrat e mjaftueshëm për të formuar qeverinë në seancën konstituive që do të mbahet më 15 prill. 

Këtë të enjte, ata u regjistruan si deputetë dhe u pyetën nga gazetarët nëse kanë mbështetje për formimin e qeverisë.

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, u përgjigj se “patjetër që po” kur u pyet nëse kanë votat e mjaftueshme, duke shtuar se Kushtetuta kërkon 61 vota dhe se “sa më shumë, aq më mirë”. 

Por, ai nuk dha detaje të tjera.

Edhe deputeti, Agim Bahtiri, shprehu besimin se LVV do të formojë qeverinë, por nuk e konkretizoi me cilët deputetë do të arrihet numri i nevojshëm prej 61 votash. 

Ai tha se “numrat janë të deputetëve, 61 e më shumë” dhe se qeveria do të formohet me deputetë të Republikës së Kosovës.

Më herët, kryeparlamentari Konjufca kishte theksuar se LVV ka nevojë për koalicion për të formuar qeverinë. 

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kishte ftuar për një takim konsultues kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, por ai e refuzoi ftesën, duke thënë se gjuha e LVV-së ndaj LDK-së ka pamundësuar bashkëpunimin mes dy partive.

Kurti, në disa raste, ka shmangur përgjigjet nëse ka numrat e mjaftueshëm për formimin e qeverisë. 

Në zgjedhjet e 9 shkurtit, LVV-ja mori 48 deputetë, një numër i pamjaftueshëm për të formuar qeverinë vetë. Përveç kësaj, disa deputetë nga komunitetet joshumicë janë të pavendosur nëse do ta mbështesin një qeveri të udhëhequr nga Kurti.