Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje ka mbajtur konferencë për media, për të diskutuar për Raportin e Progresit të Komisionit Evropian (KE) për vitin 2022.

Deputetja nga radhët e Grupit Parlamentar të LVV-së, Fitore Pacolli, ka thënë se Kuvendi i Kosovës kurrë nuk ka pasur rezultate më të mira.

Ajo ka deklaruar se ky është raporti i parë, në të cilin, nuk evidentohen ndërhyrje dhe ndikim politik në shumë institucione të vendit.

“Nga viti 2008 Komisioni Evropian çdo vit ka vlerësuar punën e institucioneve të Kosovës, nga 14 raporte, ky është raporti më i mirë në raport me ato të viteve të kaluara dhe më i miri në raport me vendet e rajonit”, ka deklaruar ajo.

Sipas saj, Kuvendi i Kosovës gjatë periudhës raportuese ka thyer rekordin me numrin e ligjeve të miratuara, marrëveshjeve ndërkombëtare të ratifikuara dhe nismave legjislative.

“Nga qershori i vitit 2021 deri në qershor të vitit 2022, Kuvendi ka miratuar 123 ligje në mesin e tyre, 31 marrëveshje ndërkombëtare, ndërsa në vitet e kaluara më së shumti kanë qenë të miratuara 53 ligje” ka thënë Pacolli.

“Ky është edhe raport i parë, ku nuk evidentohen ndërhyrje politike dhe ndikim politik në sistemin e drejtësisë, administratës publike, transmetuesin publik dhe në agjencione e pavarura. Ky është raporti i parë ku evidentohet shumë më shumë progres. Sa i përket punës së Kuvendit edhe këtë vit është evidentuar se Kuvendi është ndikuar nga një atmosferë e polarizuar politike dhe me vështirësi për të siguruar kuorume”, është shprehur Pacolli.

Ndërkaq, sipas deputetit të LVV-së, Armend Muja, këto raporte vjetore për vendin lëshohen për çdo vend të Ballkanit Perëndimor, dhe po ashtu, edhe për Kosovën, “ajo çka është evidente, është hijen e luftës në Ukrainë dhe tendencës në rritje për influencë ruse në Ballkan, një nga vendet ku është parë një ndërhyrje potenciale dhe një platformë ku ata manifestojnë influencën e tyre ka qenë Serbia, dhe çuditërisht në raportin e Ballkanit Perëndimor në raportorin me Serbinë nuk nënshkruhet fare”.

Ndërsa, ai ka thënë se arsyeja pse ekzistojnë këto raporte është që të matet progresi i vendeve drejt demokratizimit dhe evropianizimit të ekonomive të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Muja ka thënë se Kosova është duke ecur drejt demokratizimit dhe drejt lirisë së mediave, ndërsa në Serbi ka një regres, dhe “sidomos në kontekst të projektit të paqes së bashkimit evropian, i cili ka shërbyer një projektit të paqes dhe pajtimit dhe demokratizimi është parakusht liria e mediave është parakusht, ajo çka dua të potencoj në ndërkohë që Kosova po ec drejt evropianizimit ose adaptimit të vlerave evropiane në Serbi kemi një regres dhe përafrim me tendencat arkaike ruse, dhe këto pastaj, krijojnë probleme të baraspesha ose pajtimi i vendeve”.

Po ashtu, ai ka theksuar se një pjesë esenciale e këtij raporti është zbatimi i kritereve evropiane, sa i përket ekonomisë së vendit.

“Ajo çka evidentohet në raport është se në Kosovë janë kaluar disa ligje të rëndësishme, asaj çka i kemi thënë ne, çkapja e shtetit”, ka deklaruar ai.

Ndërkaq, sa i përket Transmetuesit Publik të Kosovës, ai ka deklaruar se mund të jetë hera e parë që një rast specifik i adresohet Kuvendit. Sipas tij, ka pasur një lëvdatë të madhe te mënyra se si është menaxhuar shkarkimi i Brodit të RTK-së, por në të njëjtën kohë edhe caktimi në pozita të reja të anëtarëve të tjerë të Bordit.