“Kur erdhi më qëlloi me kontakt të automatit këtu (bën me dor tek fundi i qafës). Aq që mu dok se më shqyejti dhe më kapi për krahu me m’zbrit poshtë. Tha ‘pare’, thash se s’kam. Më pyeti prapë i thash se kam vetëm fëmijë. Me një dritë përmbi i ka shiku fëmijët. E kam pasur vajzën e vogël dy vjet e gjashtë muajsh në prehër fjetur. Tha ‘bën edhe fëmijë’ dhe ma morri prej prehërit. Tjerët fëmijë bërtitën dhe unë jo…”.

Kështu tregon Bahrije Gërxhaliu për Masakrën e Studimes gjersa thekson se foshnjën ia kishte hedhur asaj pasi ushtari serb kishte pranuar paratë.

Në një intervistë në “FIVE” të RTV Dukagjini, Gërxhaliu tha se dita e dy majit ishte një ditë tmerri. Në po këtë ditë, ajo tregon se plumbat serb kishin filluar të vërshonin nga ora 7:30 e mbrëmjes.

“Ajo datë (2 maji), datë e tmerrit. Ne më 1 maj, gjithë ditën është vërshu Studimja e Epërme nga majat e Shalës së Bajgorës. Qaq ka pas popullatë, postblloku ka qenë në lagjen e Rashicëve poshtë nuk ka  mundur të dalësh dhe jemi detyru me dal, krejt kemi qenë në Studimet e Epërme. Aq shumë ka pasur njerëz…dhe nga ora 7;30 e mbrëmjes u pregaditshin tek shtëpia e vëllaut që me ardh me i dëgju lajmet. Unë veç dola prej shtëpisë së  vëllaut dhe po shkoj në shtëpinë tjetër, atëherë i kam parë kodër më  kodër, ne i quajmë kodrat e Cecelisë, e kam parë kur ka ardh ushtria serbe edhe aty kam thënë se na zënën të gjallë me dorë”, ka treguar ajo.

Tutje, Bahrie Gërxhaliu tregon se së bashku me fëmijët i ishte dashur të kalonte një lum të ciloin gjersa e kishte kalur, ishte ndarë me të bijat. Të njëjtat ia kishte sjellur kunati i ndjerë të cilin e kishte takuar po në lum, kur ishte kthyer për t’i kërkuar të bijat.

“Ne u larguam me 18 prill nga fshati Studime e ulët dhe u ngjitëm Studimen e epërme (fshat afër Vushtrrisë), ka qenë e bllokuar poshtë dhe jemi detyruar të shkojmë lartë. Lartë ka qenë postblloku në fshatin Studime por e kemi quajtur Mahalla e Rashicëve, që ka qenë  postblloku i Policisë i strehuar aty. Ne jemi detyruar të ngjitemi rekës, ujë deri këtu (bën me duar shenjënderi tek gjoksi), aty mu kanë nda dy fëmija, dy  vajzat e vogla, njëra dy vjet e gjashtë muaj tjetra tri vjet. I kam marrë tre fëmijët e mëdhej dhe në ujë kam kalu për 3 orë lumit deri kam dal dhe kur kemi dal prej studimes..aty kemi takuar UÇK-në. Ju ka drejtuar se a mund t’i lë fëmijët, e kam pas edhe vjehrrin me veti…se më janë ndarë fëmija dhe nuk kam kah shkoj pa ta. Dhe jam detyru prapë me hy rekës dhe t’i kërkoj fëmijët se nuk dita ku mbetën. Aq ka qenë popullësi e dendur sa nuk dija ku mbetën se aq ka qenë  popullësi e dendur sa ske ditur nga të ia mbash. Policia serbe nuk lanë të shkojë poshtë të kalojë në qytetin e Vushtrrisë, tjera ske pas. Është lugajë dhe je detyru me u ngjit lumit me kërku një shpëtim, një strehim…U ktheva t’i marrë fëmijët e vegjël, e takova kunatin që sot është i vrarë i ndjeri Safet Gërxhaliu. I kishte kapur të dyja vajzat dhe atij iu kishte ndarë gruaja me katër fëmijë, nuk e dinte ku janë dhe i kish marrë fëmijët e vegjël dhe i mbante si boshqe duke mos i lënë të prekin ujin. Aty i mora fëmijët dhe u nisa për studime të epërme, shkova te vëllau se e kam pasur aty…”, ka treguar ajo.

Bahrije Gërxhaliu tregon se drejtësia për të humburit do lehtësonte plagën jo vetëm të saj  por të të gjithë familjarëve të viktimave.

Gërxhakliu tregon se gjatë kolonave të qyetarëve ishin dëgjuar krisma, ishte parë zjarr dhe xhipa të tërë ushtarësh arrinin njëri pas tjetrit për t’i nxjerrur qytetarët nga veturat. E njëjta në këtë masakër kishte humbur edhe bashkëshortin.

“E kam lut zotin me krejt forcën çka kam pas, e kam ndreq Imerin në këmbë dhe e kam afru tek prokolica dhe e kam futur tek fëmijët. Aty i ka pasur fëmijët dhe nënën. Kjo e fundit bërtiti shumë. I tha; Oj nanë mos bërtit, e paska bo zoti me ra për këtë tokë andërr e kam pas. Veç një amanet ia përcjell vëlaut që amanet po ia lë gruan dhe fëmijët. Skenderin (vëllaun) veç e kishin vra para këtij por nuk e dishim..’, tregon ajo gjersa tregon se bashkëshorti kishte ndërruar jetë në krahët e saj duke i thënë se po i dhimbset bashkëshortja dhe jo fëmijët sepse të njëjtit, ishin në krahët e saj.

Ajo tregon se me ndihmën e disa burrave, me një batanije kishte larguar bashkëshortin e ndjerë nga traktori.

Të martën e 2 majit janë bërë 24 vjet qëkur forcat kriminale serbe vranë shqiptarë të pafajshëm në Studime të Vushtrrisë.

Masakra e Studimes është një ndër masakrat më të mëdha ndaj civilëve shqiptarë.

Në dy majin e vitit 1999, paramilitarët serbë vranë 116 shqiptarë të pambrojtur, ndër ta edhe shumë fëmijë e gra, përfshirë këtu edhe një nënë shtatzënë.

Brenda dy orëve ishin pushkatuar nga paramilitarët serbë 116 persona civilë që ishin në kolonë për t’u shpërngulur në drejtim të Shqipërisë.

Shumë tjerë ishin plagosur e me mijëra tjerë pas arrestimit nga forcat serbe ishin depërtuar për në Shqipëri.

Masakra në Studime të Vushtrrisë nga krerët e institucioneve të Kosovës është quajtur ndër masakrat më të tmerrshme ndaj shqiptarëve gjatë luftës së fundit.