Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do të takohen të enjten me udhëheqësin kinez, Xi Jinping.

Macron dhe Von der Leyn arritën në Pekin të mërkurën dhe do të priten nga presidenti kinez të enjten.

Takimi i të treve pritet që kryediskutim të ketë tregtinë, luftën në Ukrainë dhe ndryshimet klimatike.

Të martën, presidenti Macron tha se Kina ka rol të madh në rrugën drejt paqes në Ukrainë, dhe se Franca po kërkon të punojë me Pekinin “në këtë përgjegjësi të përbashkët për paqen dhe stabilitetin” në Kiev.

Ndonëse Pekini thotë se mban qëndrim neutral ndaj luftës në Ukrainë, udhëheqësi i saj u takua në Moskë me presidentin rus para dy javësh.

Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë të mërkurën se Kina është duke i ndihmuar ekonomisë së Rusisë, teksa kjo e fundit përballet me sanksionet e Perëndimit për luftën në Ukrainë. Ai ka ritheksuar paralajmërimet e Perëndimit ndaj Kinës që të mos dërgojë armë në Moskë.

Nga ana tjetër, Kina u kritikua edhe nga shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell. Ai e quajti një shkelje flagrante” të angazhimeve të Pekinit ndaj Kombeve të Bashkuara.

Ndërkaq, Von der Leyen e paralajmëroi në fund të marsit Pekinin se qasja e tyre ndaj pushtimit të paprovokuar të Ukrainës nga Rusia do të jetë faktor vendimtar në formësimin e marrëdhënieve në mes të Kinës dhe Evropës.