Presidenti francez, Emmanuel Macron sot në Tiranë ka folur lidhur me rifillimin e dialogut Kosovë – Serbi.
Ai ka thënë se shpreson që në javët e ardhshme të ketë rifillim të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
“Udhërrëfyesi është shumë i qartë dhe kemi kaluar shumë kohë me dialogun ndërmjet Beogradit e Prishtinës. Është legjitime që BE-ja të kërkojë që të ketë avancime konkrete në çështjet politike mbi zgjedhjet e komunave që nuk ishin të kënaqshme, mbi çështjet e sigurisë. Kjo është e njohur nuk ka asgjë të re”, tha Macron, që u paraqit së bashku në konferencë me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. “Mendoj se ekzigjenca nuk është humbje besueshmërie. Duhet të dalë nga kjo përballje që bllokon situatën. Uroj që javët e ardhshme të rifillojmë dialogu edhe me Prishtinën edhe me Beogradin, sepse secili vend është përballur me vështirësi politike sociale. Kërkesat janë legjitime dhe nuk duhet të lënë të vendoset një dialog i tërthortë, pasi nuk është mënyra e duhur për të avancuar”.
BE-ja të premten kritikoi veprimet e fundit të Policisë së Kosovës në veri.
Bashkimi Evropian ka thënë se veprimet e fundit të autoriteteve të Kosovës në veri, me mbylljen e objekteve të cilat shfrytëzoheshin për shërbime nga sistemi i Serbisë, janë rrezik për përshkallëzim të situatës.
Ditëve të fundit, autoritetet e Kosovës kanë marrë nën kontroll disa objekte, të cilat shfrytëzoheshin në kuadër të sistemit të Serbisë. Janë marrë nën kontroll një ndërtesë që përdoret nga Shërbimi Nacional për Punësim, ambientete e Ndërmarrjes Publike Komunale “Ujësjellësi Ibër”, palestrës sportive, muzeut të qytetit dhe disa institucioneve të tjera.
“Operacionet, inspektimet dhe mbylljet e fundit të policisë në Kosovë rrezikojnë të përkeqësojnë tensionet dhe të ndikojnë negativisht në jetën e përditshme të komuniteteve lokale, si dhe të minojnë imazhin ndërkombëtar të Kosovës”, thuhet në reagim, në të cilin në veçanti është përmendur shqetësimi për operacionet ndaj “Ujësjellësit Ibër” në Mitrovicën e Veriut dhe për mbylljen e fabrikës në Zubin-Potok.
“Veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara minojnë përpjekjet për ndërtimin e besimit midis komuniteteve. Ne i bëjmë thirrje kryeministrit në largim Kurti dhe autoriteteve në Kosovë t’i ndalin këto mbyllje, të tregojnë përmbajtje dhe të shmangin masat përshkallëzuese”, thuhet më tej në reagim.