Një ushtar francez që shërbente në kuadër të forcave paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara në Liban është vrarë, ka njoftuar presidenti francez Emmanuel Macron.
Sipas Macron, viktima është Florian Montorio, pjesëtar i Regjimentit të 17-të të Inxhinierisë Parashutiste, i cili ishte i angazhuar në misionin UNIFIL.
Ai bëri të ditur se edhe tre ushtarë të tjerë janë plagosur, dy prej tyre në gjendje të rëndë, shkruan CNN, transmeton Dukagjini.
Presidenti francez deklaroi se “gjithçka tregon” se përgjegjësia për sulmin bie mbi Hezbollah, duke kërkuar nga autoritetet libaneze arrestimin e menjëhershëm të autorëve.
Nga ana tjetër, UNIFIL njoftoi se patrulla e saj ishte duke pastruar mjete shpërthyese në një rrugë në fshatin Ghanduriyah, në jug të Libanit, kur u qëllua me armë zjarri nga aktorë jo-shtetërorë. Sipas misionit, dy nga të plagosurit janë në gjendje serioze.
Kryeministri i Libanit, Nawaf Salam, e dënoi sulmin dhe bëri të ditur se ka urdhëruar nisjen e menjëhershme të hetimeve.
“Ky veprim i papërgjegjshëm i shkakton dëme serioze Libanit dhe marrëdhënieve të tij me vendet mike dhe mbështetëse në mbarë botën,” tha ai.
Sulmi ndodh në një moment të ndjeshëm, gjatë një armëpushimi 10-ditor mes Izraelit dhe Libanit, të shpallur nga presidenti amerikan Donald Trump, pas bisedimeve të para direkte mes dy vendeve në dekada.
Ndërkohë, ushtria izraelite ka akuzuar më herët gjatë së shtunës Hezbollahun për shkelje të armëpushimit, duke pretenduar se ka identifikuar persona të armatosur që përbënin kërcënim dhe ndaj tyre janë kryer sulme precize.