Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka paralajmëruar se kërcënimi i sulmeve hibride të Rusisë ndaj Evropës dhe Francës është intensifikuar gjatë javëve të fundit.
Në një konferencë për media në Pallatin Élysée, Macron tha se ka urdhëruar hartimin e një plani për mbrojtjen e infrastrukturës kritike dhe objekteve të industrisë së mbrojtjes, përballë këtij kërcënimi.
Ai deklaroi se Franca është shënjestruar nga sulme hibride ruse gjatë javëve të fundit dhe paralajmëroi se ato nuk do të mbeten “pa përgjigje”.
“Në javët e fundit, kërcënimi hibrid rus ndaj evropianëve dhe ndaj Francës është intensifikuar”, tha Macron.
Sipas tij, synimi i Rusisë është të frikësojë vendet evropiane dhe të dobësojë përpjekjet e tyre për të mbështetur Ukrainën.
“Qëllimi është të na frikësojnë dhe të thyejnë përpjekjet tona për të mbështetur Ukrainën. Rezultati do të jetë pikërisht i kundërt. Ne nuk jemi të frikësuar, sepse e dimë se siguria jonë sot dhe nesër është në rrezik në Ukrainë”, u shpreh presidenti francez.
Sulmet hibride zakonisht përfshijnë metoda jo-ushtarake, si sulmet kibernetike, sabotazhi dhe dezinformimi, me synim ushtrimin e presionit dhe destabilizimin e një kundërshtari. Shpesh ato kryhen përmes palëve të treta, ndërsa Rusia vazhdimisht mohon përfshirjen në incidente të tilla.
Macron i bëri komentet pas një takimi me liderët e partive politike në Francë, ku u diskutua ndikimi në sigurinë e vendit i luftërave në Lindjen e Mesme dhe në Ukrainë.
Ai përmendi edhe sulmin me dron muajin e kaluar në aeroportin e Leipzigut në Gjermani, për të cilin është fajësuar Rusia, si dhe deklaratat e kryeministrit polak, Donald Tusk, se Rusia mund të jetë duke planifikuar sulme me dronë dhe raketa ndaj Polonisë dhe vendeve të tjera në krahun lindor të NATO-s.
Tusk u kishte thënë deputetëve polakë të enjten se ekziston një “rrezik real” që sulme të tilla të kryhen në territorin e vendeve të NATO-s dhe se Moska më pas mund t’i paraqesë ato si incidente aksidentale, me qëllim përçarjen e aleancës.
Ndërkohë, të dielën e kaluar, një dron rus goditi një tren pasagjerësh pranë kufirit Ukrainë-Poloni. Ukraina deklaroi se të gjithë pasagjerët ishin evakuuar vetëm pak minuta para sulmit, i cili goditi lokomotivën.
Në muajt e fundit janë raportuar gjithashtu një sërë zjarresh të dyshimta në objekte të industrisë së mbrojtjes, nga Italia deri në Estoni, me disa prej vendeve të prekura që kanë akuzuar Rusinë për përfshirje.
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka deklaruar vazhdimisht se Rusia nuk planifikon të sulmojë Evropën. Megjithatë, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka paralajmëruar vendet evropiane kundër dërgimit të trupave në Ukrainë, duke thënë se një veprim i tillë do të konsiderohej nga Rusia si shpallje lufte.
