Kapja nga Amerika e liderit venezuelian Nicolas Maduro – e cilësuar nga presidenti amerikan Donald Trump si “tronditëse dhe e fuqishme” ka lënë pas paqartësi të mëdha mbi atë se kush po e drejton realisht Venezuelën, një vend i pasur me naftë.

Trump deklaroi të shtunën se zëvendëspresidentja Delcy Rodriguez, pjesë e rrethit të ngushtë që kontrollon pushtetin në Venezuelë, ishte betuar pas arrestimit të Maduros dhe se kishte zhvilluar një bisedë me Sekretarin amerikan të Shtetit Marco Rubio, duke nxitur spekulime se ajo do të merrte drejtimin e vendit, shkruan Reuters, transmeton Dukagjini.

Sipas Kushtetutës së Venezuelës, në mungesë të Maduros, Rodriguez bëhet presidente në detyrë, dhe gjykata më e lartë e vendit urdhëroi që ajo ta marrë këtë rol të shtunën vonë në mbrëmje.

Megjithatë, pak pas deklaratave të Trumpit, Rodriguez doli në televizionin shtetëror e shoqëruar nga vëllai i saj, kryetari i Asamblesë Kombëtare Jorge Rodriguez, ministri i Brendshëm Diosdado Cabello dhe ministri i Mbrojtjes Vladimir Padrino Lopez, duke deklaruar se Maduro mbetet i vetmi president i Venezuelës.

Kjo paraqitje e përbashkët sinjalizoi se grupi që ndante pushtetin me Maduron mbetet i bashkuar – të paktën për momentin.

Trump gjithashtu mbylli publikisht derën për bashkëpunim me lideren opozitare dhe fituese të Çmimit Nobel, Maria Corina Machado, e konsideruar gjerësisht si kundërshtarja më e besueshme e Maduros, duke thënë se ajo nuk ka mbështetje reale brenda vendit.

Pas ndalimit të Machado-s për të kandiduar në zgjedhjet e vitit 2024, vëzhgues ndërkombëtarë deklaruan se kandidati i saj zëvendësues fitoi bindshëm, pavarësisht se qeveria e Maduros shpalli fitoren e vet.

Balanca civile–ushtarake e pushtetit

Për më shumë se një dekadë, pushteti real në Venezuelë ka qenë në duart e një rrethi shumë të ngushtë zyrtarësh të lartë. Analistë dhe zyrtarë thonë se ky sistem mbështetet në një rrjet të gjerë besnikësh dhe aparatesh sigurie, të ushqyera nga korrupsioni dhe survejimi.

Brenda këtij rrethi të brendshëm ekziston një balancë mes pushtetit civil dhe atij ushtarak. Rodriguez dhe vëllai i saj përfaqësojnë krahun civil, ndërsa Padrino dhe Cabello përfaqësojnë krahun ushtarak.

Sipas zyrtarëve aktualë dhe ish-zyrtarëve amerikanë, analistëve ushtarakë dhe këshilltarëve të sigurisë të opozitës venezueliane, çmontimi i këtij sistemi është shumë më kompleks sesa thjesht largimi i Maduros.

“Ju mund të hiqni sa pjesë të qeverisë venezueliane të doni, por për të ndryshuar realisht situatën nevojiten veprime ndaj shumë aktorëve në nivele të ndryshme,” tha një ish-zyrtar amerikan i përfshirë në hetime penale ndaj Venezuelës.

Fokus mbi Diosdado Cabello

Vëmendja tani është përqendruar tek Diosdado Cabello, i cili ushtron ndikim të madh mbi shërbimet e kundërzbulimit civil dhe ushtarak, të njohura për spiunazh të gjerë të brendshëm.

“Fokusi tani është Diosdado Cabello,” tha strategu ushtarak venezuelian Jose Garcia. “Ai është elementi më ideologjik, më i dhunshëm dhe më i paparashikueshëm i regjimit.”

Kombet e Bashkuara kanë konstatuar se SEBIN (agjencia civile) dhe DGCIM (inteligjenca ushtarake) kanë kryer krime kundër njerëzimit si pjesë e një plani shtetëror për shtypjen e kundërshtimit. Njëmbëdhjetë ish-të ndaluar i përshkruan Reuters-it tortura si goditje elektrike, mbytje të simuluara dhe abuzim seksual në qendra sekrete të DGCIM-it.

“Në atë sistem, ata duan që të ndihesh si një buburrec në një kafaz me elefantë,” tha një ish-agjent i DGCIM-it, i arrestuar në vitin 2020 për tradhti pas kontakteve me disidentë ushtarakë.

Në javët e fundit, ndërsa SHBA-të realizuan grumbullimin më të madh ushtarak në Amerikën Latine në dekada, Cabello është shfaqur shpesh në televizion duke urdhëruar arrestime dhe duke paralajmëruar se “kushdo që devijon, do të zbulohet”.

Ai u shfaq sërish të shtunën në televizionin shtetëror, i veshur me jelek antiplumb dhe helmetë, i rrethuar nga roje të armatosura rëndë.

Cabello është gjithashtu i lidhur ngushtë me milicitë proqeveritare, përfshirë grupet e njohura si colectivos – civilë të armatosur që lëvizin me motorë.

Gjeneralët kontrollojnë sektorët kyç

Edhe pse ushtria drejtohet zyrtarisht nga ministri i Mbrojtjes Padrino prej më shumë se një dekade, Cabello ruan ndikim mbi një pjesë të konsiderueshme të forcave të armatosura.

Venezuela ka deri në 2.000 gjeneralë dhe admiralë, më shumë se dyfishi i SHBA-ve. Oficerë të lartë dhe në pension kontrollojnë shpërndarjen e ushqimit, lëndët e para dhe kompaninë shtetërore të naftës PDVSA, ndërsa dhjetëra gjeneralë janë anëtarë bordesh në kompani private.

Përtej kontratave zyrtare, zyrtarë ushtarakë përfitojnë edhe nga tregtia e paligjshme, sipas dezertorëve dhe hetuesve amerikanë aktualë dhe të mëparshëm.

Dokumente të ndara me ushtrinë amerikane tregojnë se komandantë të afërt me Cabello dhe Padrino janë vendosur në brigada kyçe përgjatë kufijve dhe zonave industriale, të cilat ndodhen edhe në rrugë kryesore kontrabande.

“Rreth 20 deri në 50 oficerë duhet të largohen për ta rrëzuar plotësisht këtë regjim,” tha një avokat që ka përfaqësuar një anëtar të udhëheqjes së lartë venezueliane.

Disa prej tyre mund të jenë duke menduar dezertimin. Sipas avokatit, rreth një duzinë ish-zyrtarësh dhe gjeneralësh aktualë kanë kontaktuar SHBA-të pas kapjes së Maduros, duke ofruar informacione në këmbim të kalimit të sigurt dhe imunitetit ligjor.

Megjithatë, sipas burimeve të afërta me Cabello-n, ai nuk është i interesuar aktualisht për një marrëveshje.