Kryeministri i Hungarisë, Peter Magyar, deklaroi të martën se është i gatshëm të takohet javën e ardhshme me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, për të hapur një kapitull të ri në marrëdhëniet mes dy vendeve, pas largimit nga pushteti të paraardhësit të tij, Viktor Orban, i njohur për qëndrimet miqësore ndaj Moskës.
Gjatë një vizite në Berlin, Magyar tha se takimi me Zelenskyn mund të zhvillohet nëse negociatat teknike lidhur me të drejtat e pakicës hungareze në Ukrainë përfundojnë brenda kësaj jave, shkruan Reuters, transmeton Dukagjini.
“Deri tani negociatat po ecin në mënyrë shumë inkurajuese dhe shpresojmë se mund të përfundojnë në nivel teknik këtë javë”, tha Magyar.
Ai shtoi se është i gatshëm të takohet me presidentin ukrainas në fillim të javës së ardhshme, me kusht që të arrihet një marrëveshje për çështjet që lidhen me të drejtat themelore të njeriut.
Përmirësimi i marrëdhënieve mes Hungarisë dhe Ukrainës konsiderohet i rëndësishëm për mbështetjen e Bashkimit Evropian ndaj Kievit në luftën kundër Rusisë. Ish-kryeministri Viktor Orban kishte kundërshtuar ndihmën financiare të BE-së për Ukrainën dhe procesin e anëtarësimit të saj në bllok.
Magyar ndodhet në Berlin në kuadër të një turneu diplomatik që do ta çojë edhe në Paris, ndërsa qeveria e tij synon të forcojë marrëdhëniet me vendet e Bashkimit Evropian pas viteve të tensioneve nën qeverisjen e Orbanit.
Që nga marrja e detyrës pas zgjedhjeve të prillit, Magyar ka siguruar zhbllokimin e 16.4 miliardë eurove fonde të BE-së për Hungarinë, të cilat ishin ngrirë gjatë qeverisjes së mëparshme, duke premtuar reforma kundër korrupsionit.
Fitorja e tij zgjedhore hapi gjithashtu rrugën për transferimin e rreth 90 miliardë eurove fonde evropiane për Ukrainën, të cilat më parë ishin bllokuar nga Orban.
Megjithëse Magyar ka një qasje më pak konfrontuese ndaj Kievit, ai ka theksuar se përparimi në të drejtat e rreth 150 mijë hungarezëve etnikë në Ukrainë mbetet kusht i rëndësishëm për mbështetjen e Hungarisë ndaj anëtarësimit të Ukrainës në BE.
Nga ana tjetër, kancelari gjerman Friedrich Merz tha se Berlini e kupton dëshirën e Budapestit për të zgjidhur çështjet dypalëshe, por theksoi se kjo nuk duhet të pengojë mbështetjen evropiane për Ukrainën dhe hapjen e negociatave të anëtarësimit.
Merz përshëndeti gjithashtu ndryshimin politik në Hungari pas 16 vitesh qeverisjeje të Viktor Orbanit.
“Demokracia dhe sundimi i ligjit janë sërish të forta në Hungari. Ne kemi besim se Peter Magyar do ta rikthejë Hungarinë në zemër të Evropës”, deklaroi ai.
Sipas Merz, Magyar ka dëshmuar se Hungaria mund të largohet nga tendencat joliberale dhe të rikthehet drejt qendrës politike evropiane.