Majlinda Kelmendi: Ngritja e trajnereve femra është shumë frymëzuese

Kampionia e parë olimpike nga Kosova reflekton për jetën e saj të re si trajnere “Ndonjëherë e kam më të vështirë se të jem sportiste”

Mjlinda Kelmendi në karrigen e trajnerit në Jerusalem Masters 2022

Edhe pas pensionimit të saj në vitin 2021, Majlinda Kelmendi vazhdon të jetë një figurë ikonike për xhudon, veçanërisht për Kosovën.

Xhudistja kosovare, Majlinda Kelmendi, ka theksuar se roli i trajnereve femra është rol jetik, dhe se “Trajneret femra mund të shohin gjëra që meshkujt nuk i shohin”.

Majlinda Kelmendi është trajnerja e fundit femër që ka marrë një mundësi në nivel të turneut botëror.

Ajo po ndjek gjurmët e lojtareve të tjera si Yuko Fujii dhe Sarah Menezes, të cilat janë të dyja trajnere për Brazilin, Severine Vandenhende e Francës dhe Yvonne Boenisch, e cila vëzhgon stërvitjen për ekipin austriak.

“Kjo më bën shumë të lumtur sepse xhudo është një sport vërtet i vështirë, dhe gratë mund të jenë sportiste të mira dhe trajnere të mira. Është shumë frymëzuese dhe është vërtet mirë të dish se grave tani u është besuar kjo përgjegjësi e madhe, që do të thotë se ato mund ta përballojnë atë dhe të jenë të suksesshme.”

Boenisch kohët e fundit fitoi një çështje kundër burrave që kishin refuzuar shërbimet e saj të stërvitjes vetëm për shkak të gjinisë së saj.

“Jam e lumtur që fitoi dhe federata e mbështeti. Shumë trajnere femra mendoj se janë ende duke përjetuar diskriminim, por është mirë që nuk janë vetëm”, shtoi xhudistja më e suksesshme e Kosovës.

Kelmendi beson se të qenët trajner femër mund të ketë edhe avantazhe, ku ajo citoi se “Mendoj se femrat janë pak më të ndjeshme dhe ndonjëherë mund të ndjejnë dhe shohin gjëra që meshkujt nuk munden”.

Në një videointervistë për Olympics.com, Kelmendi ka folur rreth jetës së saj të re në rolin e trajneres tek ekipi i Driton Kukës.

“Vendosa të jem një trajnere, mendoj që edhe para se të mbaroja karrierën. Do të doja të bëhesha trajnere sepse kur jam në tatami nuk ka rëndësi se ku, ndihem mirë, jam vetvetja”, ka theksuar ajo.

Majlinda Kelmendi (L) dhe trajneri i Kosovës, Driton (Toni) Kuka (R) festojnë medaljen e bronztë të Flaka Loxhës (M) në Lojërat Mesdhetare 2022 në Oran të Algjerisë.

Ka më shumë se një vit qëkur Majlinda Kelmendi iu bashkua ekipit të trajnerit, mentorit të saj, Driton ‘Toni’ Kuka.

“Ai është shefi, unë jam këtu për ta ndihmuar në çdo gjë, varësisht se çfarë ka nevojë ai dhe ekipi. Kryesisht punoj në seancat stërvitore të xhudos,” shpjegoi ajo.

“Mendova se do të kisha më shumë kohë kur dola në pension, por kjo është krejtësisht ndryshe sepse tani punoj me fëmijë, me kadetë, me të rinj dhe me të moshuar. Dhe udhëtoj shumë, por më gëzon”, ka theksuar xhudistja Kelmendi, e cila ende e mban formën në palestër.

“Ndonjëherë e kam më të vështirë se të jesh atlete,” ka cituar ajo.

“Kur je sportist, mendon vetëm për veten: thjesht stërvitesh, jep maksimumin dhe kaq. Si trajner, duhet të përballesh me personalitete të ndryshme dhe të përshtatesh me ta, nuk mund t’i trajtosh të gjithë në të njëjtën mënyrë”, ka theksuar xhudistja Majlinda Kelmendi.

Kelmendi (L) me Loriana Kukën në Grand Slam të xhudos 2022

Ajo gjithashtu deklaroi se “Është gjithashtu një përgjegjësi e madhe sepse të gjithë prisnin që unë të isha aq e mirë sa isha si atlete. Kështu që ka qenë e vështirë, por më në fund gjeta mënyrën time të stërvitjes.”

Legjenda e Kosovës ende e konsideron veten vetëm si “asistente” e trajnerit të saj.

“Trajneri është një fjalë e madhe. Nuk mendoj se thjesht bëhesh një trajner i mirë me vetëm një vit përvojë. Unë e njoh shumë xhudon sepse e kam bërë këtë gjatë gjithë jetës sime, por kur bëhet fjalë për sistemin e punës, është krejtësisht ndryshe”, tha ajo.

Sa i përket ish-trajnerit të saj, Driton Kuka, Kelmendi ka përmendur faktin se “Toni është trajneri më i mirë në botë dhe kam shumë për të mësuar prej tij. Stërvitja e tij bazohet shumë në disiplinë, dhe nëse ndiqni rregullat e tij, do të bëheni një xhudist i suksesshëm. Ai e di se si të marrë 100% në stërvitje dhe unë mësoj diçka çdo ditë”.

Përndryshe, Driton Kuka gjatë vitit 2021 ka fituar çmimin të arritjeve të trajnerit të IJF-së , pasi udhëhoqi Kosovën në tre tituj olimpikë në pesë vjet.

Shija e redaktorit

Presidentja Osmani nderohet me Çmimin e Evropës nga Fondacioni Pan-Europian

Fondacioni Fondacioni Pan-Evropian Richard Coudenhove-Kalergi i ka ndarë Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, çmimin e ‘Evropës’, për përkushtimin e saj ndaj raporteve me partnerët...

Nis ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë...

Ka filluar ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës. Sot diplomojnë 445 kadetë të Policisë së Kosovës. Kryeministri i Republikës së Kosovës,...

Policia konfirmon arrestimin e Akil Gjakovës

Policia e Kosovës, ka arrestuar xhudistin Akil Gjakova, si të dyshuar për veprën penale dhunë në familje. Lajmin për Portalin Dukagjini e ka konfirmuar zëdhënësi...

Të fundit nga rubrika