Malcolm e quan “gabim” presionin e BE-së ndaj Kosovës: Serbia mban raporte të afërta me Rusinë dhe Kinën
Noel Malcolm, historiani i njohur britanik, është në një intervistë për T7, ku ka vlerësuar se Bashkimi Evropian nuk do të duhej t’i bënte kaq shumë presion Kosovës. Malcolm tha se nuk mendon që BE ka armiqësi ndaj Kosovës, por që sipas tij, ka strategji e politikë të gabuar. “Nuk mendoj se ka ndonjë armiqësi […]
Noel Malcolm, historiani i njohur britanik, është në një intervistë për T7, ku ka vlerësuar se Bashkimi Evropian nuk do të duhej t’i bënte kaq shumë presion Kosovës.
Malcolm tha se nuk mendon që BE ka armiqësi ndaj Kosovës, por që sipas tij, ka strategji e politikë të gabuar.
“Nuk mendoj se ka ndonjë armiqësi themelore ndaj Kosovës, por mendoj se është thjesht strategji politike seriozisht e gabuar. Po them strategji, mendoj se është më shumë se taktikë afatshkurtër, është strategji politike, e mbështetur në idenë se Serbia është disi shteti më i rëndësishëm në Ballkan. Mendoj se kjo është shumë e diskutueshme”, ka thënë ai.
Tutje, Malcolm tha se Serbia ende ka lidhje të forta me Rusinë, derisa shtoi se BE duhet ta kushtëzojë atë se a dëshiron integrim apo pretendime territoriale ndaj Kosovës.
Sipas tij, Serbia nuk mund t’i ketë këto të dyja gjëra.
“E ka agjendën e vet në të tria këto gjëra, shtuar kësaj, siç thashë, lidhjet e saj të forta me Moskën. Mendoj se do të vijë një moment, kur BE-ja do të duhet t’i thotë Beogradit: “Shiko, ke një zgjedhje: a dëshiron që përfundimisht t’i bashkohesh BE-së, apo dëshiron që ta mbash pretendimin tënd për territorin e Kosovës? Nuk mund t’i kesh të dyja, duhet të zgjedhesh mes tyre.”
“Nuk besoj se ata e kanë paraqitur pyetjen kaq thjesht – ende – para Serbisë, por përderisa vazhdojnë që të dështojnë përpjekjet e tyre për ta kontrolluar Serbinë me këto supozime të rreme dhe edhe pasi i kanë dhuruar Serbisë koncesione njërin pas tjetrit, ata shohin se kanë dështuar, nuk po e marrin rezultatin që e duan, në fund do të detyrohen që t’ia bëjnë atë pyetje”, tha ai.















