Mali i Zi, shoqëria civile kërkon drejtësi për viktimat e krimeve të luftës

Me 25 vjetorin nga masakra në fshatin Husaj në malësi të Rozhajës, “Qendra për Edukim Qytetar”, u bëri thirrje institucioneve malazeze që të sigurojnë drejtësi për viktimat

Flamuri i Malit të Zi

Me rastin e 25 vjetorit nga masakra në fshatin Husaj në malësi të Rozhajës, Qendra për Edukim Qytetar”, të enjten, u bëri thirrje institucioneve të Malit të Zi që të sigurojnë drejtësi për viktimat dhe familjet e tyre.

Në Husaj, një fshat që shtrihet në veri të Malit të Zi, më 18 prill të vitit 1999, pjesëtarët e ushtrisë së ish-Jugosllavisë, vranë gjashtë persona dhe plagosën pesë të tjerë, sipas aktakuzës së Prokurorisë së Lartë të Shtetit. Por sipas Aksionit për të Drejtat e Njeriut, në fshat u vrarë 22 civilë dhe u plagosën shtatë të tjerë, gjë që u konfirmua edhe më vonë zyrtarisht.

Viktimat ishin të gjithë refugjatë me kombësi shqiptare nga Kosova e shkatërruar prej luftës. Mes tyre kishte fëmijë, gra e të moshuar.

Në vitin 2008, Zyra e Prokurorit të Lartë të Shtetit e Malit të Zi e cilësoi ngjarjen si krim lufte dhe paditi kolonelin në pension Predrag Strugar dhe shtatë anëtarë të tjerë të ushtrisë jugosllave, por në mungesë të provave ata u shpallën të pafajshëm nga Gjykata e Apelit.

Në një deklaratë dhënë Zërit të Amerikës, ish-Drejtori i Komitetit malazez të Avokatëve për të Drejtat e Njeriut Velija Muriç vuri në dukje se përgjegjësia për krimet e luftës nuk është vendosur në përputhje me standardet ndërkombëtare, duke marrë si shembull vrasjen e civilëve të pafajshëm shqiptarë në Komunën e Rozhajës.

Në Komunën e Rozhajës janë vrarë 22 civilë shqiptarë, ngjarje për të cilën janë zhvilluar procese gjyqësore ndaj disa ushtarakëve, e që në fund u liruan si të pafajshëm”, tha  Muriç.

Muriç vlerëson se Malit të Zi i duhet një qasje më aktive për hetimin, ndjekjen penale dhe ndëshkimin e krimeve gjatë luftës.

Mali i Zi duhet të ballafaqohet me të kaluarën në mënyrë që të krijohen parakushtet për pajtim dhe shërim të komuniteteve në vend dhe rajon”, tha Muriç.

Organizata Aksioni për të Drejtat e Njeriut u bëri thirrje institucioneve shtetërore që të rishikojnë ngjarjen në fshatin Husaj dhe që qeveria të gjejë një mënyrë për të kompensuar viktimat. Po kështu u bë thirrje për ngritjen e një monumenti për viktimat e këtij krimi lufte.

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviç, e ka mbështetur iniciativën për ngritjen e një memoriali për viktimat. Në një postim në rrjetin social X ai u bëri thirrje autoriteteve gjyqësore që të mos heqin dorë nga gjetja e autorëve dhe mbatja e tyre përgjegjës.

Gjatë bombardimeve të NATO-s nga marsi deri në qershor 1999, rreth 100 mijë refugjatë hynë në Mal të Zi nga Kosova.

Në Raportin e Komisionit Evropian të publikuar në fund të vitit 2023, thuhet se rezultatet e Malit të Zi në ndjekjen penale të krimeve të luftës, janë të kufizuara. /VoA

Shija e redaktorit

Shtëpia Botuese “Dukagjini” me shumë aktivitete për fëmijët më 1...

Prindër e fëmijë u bënë bashkë në një vend. Për 1 qershorin, Ditën Botërore të Fëmijëve, Shtëpia Botuese Dukagjini i mblodhi në sheshin “Zahir Pajaziti”...

Hapet sezoni turistik në Shëngjin, sporte ujore dhe parashuta spektakolare...

Sezoni turistik në Shëngjin është hapur zyrtarisht me një ceremoni festive që mblodhi pushues, qytetarë dhe vizitorë të shumtë në bregdetin e njohur të...

Komisionerja Kos: S’mund të ketë siguri në Evropë pa Kosovën

Komisionerja për Zgjerim e Bashkimi Europian, Marta Kos deklaroi se nuk mund të ketë siguri në Evropë pa Kosovën, duke e cilësuar vendin pjesë...

Të fundit nga rubrika