Mungesa e një qëndrimi të qartë të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK0 për bashkëpunim me Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) vazhdon të mbajë të pasigurt zgjedhjen e presidentit të vendit, vlerëson politologu Albinot Maloku.
Sipas tij, pikërisht sigurimi i numrave për kreun e shtetit mbetet sfida kryesore politike në fazën e ardhshme.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Maloku tha se PDK-ja dhe Aleanca kanë qenë të qarta në pozicionet e tyre, ndërsa sipas tij LDK-ja ende është në fazën e sqarimit të qëndrimit të saj.
“Tani, gjashtë gushti synimin do të duhej ta kishte që të patentonte shtatë qershorin, pra rezultatin e procesit zgjedhor pra, për formimin e institucioneve të Republikës. Në këtë rrafsh, konsideroj që subjektet politike në vend, Partia Demokratike e Kosovës ishte jashtëzakonisht e qartë në qëndrimin e saj. Aleanca ka qenë njëra prej faktorëve politik në Republikën e Kosovës që që në krye të herës, po ashtu ka qenë jashtëzakonisht e qartë. Lidhja Demokratike e Kosovës është ende, konsideroj në atë kërkimin e qartësisë që mund ta ketë si qëndrim në raport me një partneritet të mundshëm me Lëvizjen Vetëvendosje për të ecur përpara dhe për të formuar institucionet e vendit”, tha ai.
Sipas Malokut, rizgjedhja e Lumir Abdixhikut në krye të LDK-së nuk e ka zgjidhur dilemën për qëndrimin e partisë ndaj një koalicioni të mundshëm me LVV-në.
“Tani, është e vërtetë që zoti Abdixhiku u ribë kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, pra prapë kemi një vazhdimësi të pozicionit të tij prej kryetari, mirëpo tani është sfida tjetër, çfarë pozicioni do të ketë Lidhja Demokratike e Kosovës në raport me gjithë rrethanat. Shkarkimi nuk ndodhi, mirëpo mendimet e atyre të cilët janë kundër mundësisë së një partneriteti, një bashkëpunimi, një koalicioni me Lëvizjen Vetëvendosje, ai numër është në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Janë ata deputetë të cilët kanë deklaruar në vazhdimësi refuzimin që të ketë një partneritet mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Dhe kjo është ajo sfida tjetër e kryetarit të ribërë disa herë, dhe në këtë rrafsh konsideroj që ky është ai, subjekti i vetëm politik në Republikën e Kosovës i cili nuk ka një qëndrim të qartë, është Lidhja Demokratike e Kosovës, për një pozicion të qartë në raport me çështjet”, tha ai për Ekonomia Online.
Ai tha se formimi i institucioneve dhe më pas zgjedhja e presidentit/es mbeten një sfidë serioze.
“Mundësia për të pasur sukses, pra që gjashtë gushti të patentojë shtatë qershorin dhe kjo do të nënkuptonte formimin e institucioneve, pa një pengesë edhe në çështjen e shefit të vendit (presidentit/es), është jashtëzakonisht sfiduese. Ka një vullnet të kreut të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe grupit të tij të caktuar, mirëpo jo qëndrim të sqaruar e të qartë të LDK-së si LDK në raport me këtë mundësi”, tha ai.
Maloku shtoi se kundërshtimi brenda LDK-së ndaj një partneriteti me LVV-në mbetet i konsiderueshëm dhe kjo ndikon edhe në procesin e zgjedhjes së presidentit.
“Tani, në skenën tonë politike si pasojë e interesave të caktuara, rrethanave të caktuara, gjithë duhet pasur kujdes tek ajo kurrë kurrë, mirëpo megjithatë prej këtyre zërave jo në favor të mundësisë së përafrimit me Lëvizjen Vetëvendosje nuk është numër i vogël. Dhe kanë pasur një qëndrim në kontinuitet e në vazhdimësi. Po rrjedhojë, kemi problematikën e numrave për shefin e shtetit. Që i bie, VV-ja në qoftë se dëshiron ta ketë, ta përmbyllë si të suksesshme shtatë qershorin, është që ta shfrytëzojë maksimalisht këtë Lidhje Demokratike të Kosovës”, tha ai.
Sipas tij, LVV-ja ka ende mundësi për të siguruar numrat e nevojshëm, duke përmendur edhe ofertën e Aleancës.
“Po ashtu, pasur parasysh edhe ofertën e Aleancës, e cila ka qenë ofertë jashtëzakonisht gjeneroze në kuptimin e asaj pa i dhënë ngarkesë subjektit më dominant në Kuvendin e Republikës së Kosovës, vetëm duke u bërë zotime për diçka që është jashtëzakonisht e mirë për vendin e për qytetarët, që është ajo, ato parimet e vendosura si lloj kushti për të plotësuar prezencën e tyre në Kuvend, pra për të qenë aty dhe për të plotësuar atë numrin e nevojshëm prej 80 deputetëve që të bëhet shefi i shtetit. Pra, Lëvizja Vetëvendosje ende e ka mundësinë, por e ka edhe një sfidë dhe tani do të mbetet të shihet se çfarë qasje do të ketë Lëvizja Vetëvendosje në raport me interesin që të patentohet rezultati i shtatë qershorit dhe të bëhen institucionet e vendit”, tha ai.
Ndërkohë, ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, zhvilloi të premten takim me përfaqësuesit e partive parlamentare për përgatitjen e agjendës së seancës së javës së ardhshme për konstituimin e Kuvendit.
Haxhiu tha se palët u pajtuan për agjendën për konstituimin e Kuvendit, i cili i hap rrugë formimit të Qeverisë së re dhe zgjedhjes së presidentit të ri.
Pas mbledhjes së Kuvendit të jashtëzakonshëm të LDK-së, kryetari Lumir Abdixhiku njoftoi se partia ka hequr pezullimin e bisedimeve me LVV-në dhe është e gatshme të vazhdojë diskutimet për formimin e institucioneve, ndërsa deputetja Jehona Lushaku-Sadriu tha se aktualisht nuk ka një ftesë për takim nga kryetari i LVV-së, Albin Kurti.
Deputetja e LVV-së, Arbërie Nagavci, ndërkaq mohoi raportimet për një marrëveshje në parim mes dy partive, duke thënë se deri më tani është zhvilluar vetëm një takim konstruktiv, pa pajtueshmëri për ndarjen e pozitave.
Nagavci, tha se partia e saj pret nga LDK-ja rifillimin e bisedimeve dhe arritjen e një marrëveshjeje, “sepse vendi ka nevojë që sa më parë të vazhdojë punën në të gjitha institucionet me mandatet e përcaktuara”.
Ndërkohë, në natën që i shpëtoi shkarkimit, lideri i LDK-së Abdixhiku tha se pezullimi i bisedimeve me LVV është hequr tashmë.
Deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, duke folur të premten pas takimit për seancën konstituive, shprehu gatishmërinë e partisë për vazhdimin e bisedimeve , por shtoi se për momentin nuk kanë ndonjë ftesë për takim nga lideri i LVV-së.
Bisedimet ishin pezulluar javë më parë nga kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili përballej me shkarkim të mundshëm nga partia, por arriti t’i mbijetojë votëbesimit të enjten për herë të dytë këtë vit.
Kurti dhe Abdixhiku kanë mbajtur vetëm një takim para se ky i fundit të detyrohej t’i pezullonte bisedimet.
Pas atij takimi në fillim të këtij muaji, të dy liderët kishin thënë se kishin shpresa për një marrëveshje dhe vullnet për vazhdimin e bisedimeve deri në arritjen e saj.